Wednesday, May 8, 2024

Lufta mund kishte përfunduar brenda 2 muajsh: Kush i sabotoi negociatat Ukrainë-Rusi?

Pas dështimit të kundërofensivës së vitit të kaluar, javët e fundit ka pasur raportime të shpeshta në mediat ndërkombëtare mbi humbjen e afërt të Ukrainës, të shkaktuar nga mungesa serioze e njerëzve, armëve dhe municioneve, si dhe nga rënia e moralit të trupave në front.

Ndërkohë, edhe pse ngadalë, rusët po përparojnë thuajse kudo. Koha duket se është në anën e Moskës, dhe kundër Kievit e Perëndimit. Në këtë pikë, lind hipoteza konkrete e nevojës për të arritur, herët a vonë, në një marrëveshje të negociuar me rusët. Gjasat janë më shumë për një “ngrirje” të konfliktit sipas modelit korean, sesa për një marrëveshje të vërtetë paqeje, e cila duket shumë larg çdo lloj perspektive realiste.

Ukrainasit rrezikojnë që të ulen në tryezën e negociatave në një pozicion dukshëm më të dobët se në vitin 2022, kur kishin arritur disa fitore të rëndësishme strategjike, dhe teksa rusët po përgatiten të rimarrin Kharkiv, qytetin e dytë më të populluar në vend.

Pra, pyetja që shtron sot shumëkush është: A nuk mund të ishte gjetur më herët një rrugëdalje nga konflikti, duke shmangur kësisoj dhjetëra mijëra të vdekur nga të dyja palët? Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi më 12 prill se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, ai ajo e diskutuar në vitin 2022, “mund të jetë baza për negociata të reja, por nuk ka asnjë shenjë se Kievi është gati për bisedime”.

Ajo marrëveshja përfshinte klauzola, që kërkonin nga Ukraina të pranonte statusin e një vendi neutral dhe të mos anëtarësohej në NATO, të kufizonte madhësinë e forcave të saj të armatosura dhe t’i jepte status të veçantë Ukrainës Lindore.

Marrëveshja e sabotuar e prillit 2022

Revista amerikane “Foreign Affairs” i ka kushtuar së fundmi një artikull të gjatë negociatave të zhvilluara në Bjellorusi dhe Turqi, të shoqëruar me dokumente dhe dëshmi të pabotuara më parë, për të cilat Peskov pretendon ende sot se mund t’i jepnin fund luftës në që muajt prill-maj 2022, pra vetëm 2 muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Por pse bisedimet u ndërprenë papritur në maj të atij viti? A ishte masakra e Bucha-s preteksti kryesor? Revista amerikane i jep përgjigje një pjese të mirë të pikëpyetjeve. “Disa analistë dhe zyrtarë (përfshirë presidentin rus Vladimir Putin) kanë thënë se ka pasur një marrëveshje në tryezë e cila do t’i jepte fund luftës.

Por ukrainasit u tërhoqën prej saj, për shkak të një kombinimi të presionit nga një pjesë e perëndimorëve dhe supozimeve të Kievit mbi dobësinë ushtarake ruse”- thekson “Foreign Affairs”, që nënvizon se nuk ka pasur një arsye të vetme kryesore për sabotimin e bisedimeve. Ndonëse revista amerikane nuk e mbështet versionin rus, sipas të cilit partnerët perëndimorë të Ukrainës – veçanërisht Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara – e sabotuan marrëveshjen (e kundërta do të ishte e çuditshme), ajo e pranon se “partnerët perëndimorë të Kievit ngurruan të përfshihen në një negociatë me Rusinë, që do të kërkonte angazhime të reja për të garantuar sigurinë e Ukrainës.

Pas disa takimeve të para të tensionuara, një pikë kthese duket se mbërriti më 29 mars 2022, pas një takimi midis delegacioneve diplomatike që u zhvilluan në Stamboll të Turqisë. Pas atij takimi, Ukraina dhe Rusia ranë madje dakord për një deklaratë të përbashkët. Edhe pse e pasigurt, paqja dukej e afërt.

Projektmarrëveshja e parë që përmend “Foreign Affairs”, parashikonte një Ukrainë “neutrale dhe jo bërthamore”, e cila do të hiqte dorë nga “çdo synim për t’u bashkuar me aleancat ushtarake apo për të lejuar praninë e bazave ushtarake ose trupave të huaja në territorin e saj”. Deklarata rendiste anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (përfshirë Rusinë) së bashku me Kanadanë, Gjermaninë, Izraelin, Italinë, Poloninë dhe Turqinë si garantues të mundshëm të paktit. Po ashtu, në projekt-marrëveshje thuhej se nëse Ukraina do të sulmohej dhe do të kërkonte ndihmë, të gjitha shtetet garantuese do të detyroheshin që t’i ofronin ndihmë Kievit për të rivendosur sigurinë e tij nëpërmjet krijimit të një “zone të ndalim- fluturimit” dhe për të dërguar “trupa në terren”.

Ukrainës do t’i lejohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe shtetet që e garantonin marrëveshjen duhet ta mbështesin diplomatikisht. Pavarësisht lajmeve mbi masakrën në Bucha në fillim të prillit, bisedimet vazhduan deri në paraqitjen e draftit të 15 prillit, që parashikonte një marrëveshje e cila mund të arrihej brenda 2 javësh.

Po pse u ndalën bisedimet? Sipas udhëheqësit rus Vladimir Putin, nën presionin e Perëndimit, dhe në veçanti nga Boris Johnson, asokohe kryeministër i Britanisë, ukrainasit u nxitën të luftonin. “Përgjigja perëndimore ndaj këtyre negociatave – e pranon “Foreign Affairs” – edhe pse larg manipulimeve të Putinit, ishte sigurisht e vakët. Uashingtoni dhe aleatët e tij ishin shumë mosbesues në lidhje me perspektivat e rrugës diplomatike që do të dilte nga bisedimet e Stambolli”.

Sigurisht dihet që Boris Johnson, që vizitoi Kievin ato ditë, i tha Zelenskyt se çdo lloj marrëveshje e negociuar do të përfaqësonte një fitore për Vladimir Putin. Siç rrëfen Davyd Arakhamiia, një nga këshilltarët kryesorë të liderit ukrainas: “Pas kthimit tonë nga Stambolli, Boris Johnson vizitoi Kievin dhe na tha se ne nuk duhet të nënshkruajmë asgjë me rusët dhe të vazhdojmë të luftojmë”.

Siç është zbuluar pak kohë më parë nga “Washington Post”, edhe diplomacia amerikane kundërshtoi gjithashtu marrëveshjen e prillit 2022 me Moskën. Në një intervistë për televizionin izraelit, ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett konfirmoi se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe bllokuan marrëveshjen, dhe kjo tezë mbështetet edhe nga dëshmia e drejtpërdrejtë e një diplomati ukrainas, i cili ishte pjesë e delegacionit të Stambollit.

Ky është ambasadori Oleksandr Chalyi, që gjatë një aktiviteti publik në Gjenevë të Zvicrës, kujtoi se sa “afër” ishin Kievi dhe Moska për t`i dhënë fund luftës me një zgjidhje paqësore. Pra falë një sërë dëshmish dhe dokumentesh, mund të arrijmë në përfundimin se Perëndimi i udhëhequr nga anglo-amerikanët nuk donte kurrë paqe në Ukrainë.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë