Gazetari italian, i cili realizoi investigimin mbi paktin Rama-Meloni ka folur në mediat shqiptare.
Giorgio Mottola, zbuloi se si u arrit te investigimi që ka tronditur themelet e qeverisë së Edi Ramës.
Sipas tij, filloi sigurisht nga protokolli Shqipëri-Itali që i gjeti të befasuar të gjithë në Itali.
“Papritur zbuluam se Shqipëria dhe Italia kishin nënshkruar një marrëveshje që do të devijonte një pjesë të emigrantëve drejt vendit tuaj. Dhe është një marrëveshje kjo që jo vetëm ka një vlerë për Italinë, por edhe në nivel evropian sepse sikurse e deklaroi PPE gjatë kongresit të fundit, ky model shqiptar, pra modeli i zhvendosjes së emigrantëve në vende të treta, mund të përdoret edhe nga vendet e tjera. Pra jemi përpara një kthese epokale”, tregoi ai.
Gazetari Mottola theksoi se Engjëll Agaçi ka një rol kryesor në këtë marrëveshje, por edhe ka një fuqi të jashtëzakonshme në qeverinë e Ramës.
“Do të thosha që Agaçi ka absolutisht një rol qendror në të gjithë këtë ngjarje. Nuk e them unë këtë, e thotë një eksponent i rëndësishëm i qeverisë së Ramës, Taulant Balla. Që nga momenti që erdha në Shqipëri, e kuptova se përtej Edi Ramës, kishte një figurë shumë qendrore, që është Engjëll Agaçi. Nisa të bëj investigime për të dhe aty u hap një botë e tërë. Sepse pastaj zbulova që fuqia dhe pushteti i Agaçit brenda qeverisë Rama ka një rol qendror, sidomos marrëdhëniet e tij me Italinë janë të rrënjosura”, tha gazetari.