Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të fillojë sot, e premte, dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj në gjithë vendin.
Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha në uebsajtin e saj se nga e premtja e 5 prillit deri më 10 prill, punonjësit e saj do t’i vizitojnë zonat e banimit dhe banesat, apo shtëpitë e qytetarëve më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese.
Gjatë kësaj periudhe do të kryhen intervista me ndonjë ekonomi familjare.
Regjistrimi i përgjithshëm pritet të fillojë më 10 prill, sipas saj.
ASK-ja tha se të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtar i moshës madhore, mbi 16 vjeç, nëse personat janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i japë të dhënat.