Monday, October 14, 2024

Mbështetësit e opozitës protestojnë jashtë Kuvendit, hedhin kapsolla dhe tymuese

Në derën e Kuvendit të Shqipërisë deputetët e opozitës u përplasën fizikisht me punonjësit e gardës. Për të mos lejuar futjen në seancë të deputetëve të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, punonjësit e gardës u rreshtuan te dera kryesore. Pavarësisht vendimit për përjashtim, deputetët opozitarë tentuan të hynin me forcë dhe kjo krijoi tensione më 5 shkurt.

Pas përplasjes, dera u hap vetëm për ata deputetë të opozitës ndaj të cilëve nuk kishte një masë disiplinore. Me nisjen e seancës plenare, tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Punonjësit e gardës u rreshtuan para foltores, pasi deputetët e opozitës u drejtuan nga zona ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar të Shqipërisë.

Për shkak të kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u detyrua ta mbyllte seancën në të cilën deputetët pritej të flisnin për problemet që kishin vërejtur gjatë takimeve me qytetarët në zonat e tyre zgjedhore.

“Ju nuk doni të flisni për hallet e qytetarëve, këtu seanca mbyllet”, tha kryeparlamentarja Nikolla.

Nëntëmbëdhjetë deputetë të opozitës janë të përjashtuar nga Komisioni i Etikës më 29 janar, për shkak të bllokimit të punimeve të Kuvendit si dhe të Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste në pushtet, Bledi Çuçi, paralajmëroi se do të ketë sërish përjashtime për deputetët të cilët kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit.

“Ishte shfaqje e shëmtuar. Përjashtimet do të vijojnë nëse do të kemi sërish tensione në Parlament apo në komisione. Ky teatër me kolegët e përjashtuar që futen me zor, është teatër absurd”, tha Çuçi.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Gazment Bardhi, tha se Garda e Republikës me urdhër të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaloi deputetët të hynin në Kuvend.

“Sot në Kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Arben Ahmetajt [ish-zëvëndëskryeministri i shpallur në kërkim]. Me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u penguan të futen në sallën e seancës plenare”, tha Bardhi.

Më pas deputetët e grupimit “Bardhi-Berisha” iu bashkuan protestës së thirrur prej tyre para ndërtesës së Kuvendit, pikërisht kundër vendimit për përjashtimin e 19 deputetëve.

Çështje tjetër pse u thirr kjo protestë ishte edhe moslejimi i ngritjes së komisioneve hetimore që ka kërkuar opozita. Komisionet që opozita kërkon kanë të bëjnë me ato që opozita i cilëson si afera korruptive të Qeverisë.

Në protestë, qytetarët hodhën kapsolla dhe tymuese ndërsa kishte edhe përplasje me forcat e policisë. Pas tubimit para Kuvendit, deputetët dhe qytetarët marshuan drejt rrugës “Mustafa Matohiti” pranë banesës së Sali Berishës, i cili po mbahet në “arrest shtëpie” në lidhje me hetimet për korrupsion në rastin e privatizimit të ish-klubit sportive “Partizani”.

Ky grupim brenda Partisë Demokratike ka paralajmëruar edhe për një protestë të re më vonë gjatë shkurtit.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë