Gjigandi rus i energjisë Gazprom paralajmëron Poloninë dhe Bullgarinë se do të ndërpresë furnizimin me gaz nëse dy shtetet nuk paguajnë me rubla.
Kompania polake tha se Gazprom nga kjo e mërkurë do të ndalonte furnizimet me gaz përgjatë tubacionit Yamal.
Furnizimi me energji i Polonisë është i sigurt, siguroi ministria e Klimës së Varshavës, duke shtuar se nuk kishte nevojë të nxirrej nga rezervat dhe se gazi për konsumatorët nuk do të ndërpritet.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që vendet që ai i cilëson “jomiqësore” të zbatojnë një skemë sipas së cilës ata duhet të hapin llogari në Gazprombank dhe të bëjnë pagesat për importet e gazit rus në rubla.
Gazprom tha se Polonia do të duhet të fillojë të bëjë pagesat sipas skemes të re në të kundërt nuk do të furnizohet.
Polonia, marrëveshja e së cilës për gazin me Rusinë skadon në fund të këtij viti, ka thënë vazhdimisht se nuk do të pajtohet me skemën e re. Ajo gjithashtu ka theksuar se nuk do të vazhdojë kontratën.
Kontrata e Polonisë me Gazprom është 10.2 miliardë metra kub në vit dhe mbulon rreth 50% të konsumit kombëtar.
Kompania polake theksoi se do të ndërmarrë hapa dhe se çdo ndërprerje e furnizimeve ishte një shkelje e kësaj kontrate.
Edhe Bullgaria tha se po punonte me kompanitë shtetërore të gazit për të gjetur burime alternative për të zëvendësuar furnizimet që merr nga Rusia. Qeveria beri me dije se nuk do të ketë kufizime në konsumin e gazit për momentin, edhe pse vendi ballkanik me 6.5 milionë banorë merr mbi 90% të gazit të tij nga importet ruse.