Friday, October 11, 2024

Integrimi/ Më 15 tetor nisin negociatat me Shqipërinë për kapitujt themelorë, ndahen rrugët me Maqedoninë e Veriut për në BE

“Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut”, sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Kështu shkruan Euractiv në një artikull, ku thuhet se më 15 tetor zyrtarisht do të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Rruga e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE u shoqërua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja aktuale e bisedimeve është shtyrë vazhdimisht, duke ndikuar drejtpërdrejt në progresin e Tiranës”, thuhet në shkrim.

Por tani, hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së disa kapitujve, ku përfshihen: Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar.

“Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështon të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE”, thekson Euractiv.

Pas disa viteve mosmarrëveshje, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord në korrik 2022, që Republika e Maqedonisë së Veriut të ndryshonte Kushtetutën dhe të përfshinte pakicën bullgare së bashku me pakicat e tjera të përmendura si “populli turk, populli serb, romët, popullit boshnjak dhe të tjerëve”.

Kjo do të bënte që Sofja të hiqte veton dhe përparimin e bisedimeve të Shkupit.

Megjithatë, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut.

Aktualisht, 100.000 qytetarë maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare, që do të thotë se kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare.

Që kur partia nacionaliste VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet majin e kaluar, qeveria e re e Hristijan Mickoski e ka bërë të qartë se dëshiron të rinegociojë të ashtuquajturin “kompromis francez”.

Siç pritej, BE hodhi poshtë këtë qëndrim dhe paralajmëroi se hapi tjetër do të ishte shkëputja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, duke i dhënë një shank Tiranës për të avancuar.

Pas zgjedhjeve të majit, Maqedonia e Veriut u përball me fqinjët e saj grekë dhe bullgarë të BE-së. Së pari, presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sfidoi Greqinë duke mos përdorur emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut” gjatë fjalimit të saj të inaugurimit.

Maqedonia e Veriut shtoi emrin “Veriu” në vitin 2018 për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë, pas marrëveshjes historike të Prespës.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë