Friday, October 11, 2024

SHBA dhe BE në një vjetorin e Banjskës: Përgjegjësit të japin llogari

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që të gjithë të përfshirët në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit një vit më parë të mbahen përgjegjës.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i Bunjakut në Vushtrri më 24 shtator.

“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve të mi diplomatikë për ta nderuar kujtimin e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë në sulmin e Banjskës, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet dhe presin që kryerësit dhe të gjithë të përfshirët në këtë krim të tmerrshëm të mbahen përgjegjës”, shkroi Hovenier në X.

Ndërkaq, BE-ja tha se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në Banjskë të japin llogari.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a duhet Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në proceset gjyqësore që do ta pasojnë, Stano tha:

“Po, kjo është ajo që ne kemi nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme, për ato raste ku kryesit e dyshuar janë në Kosovë”.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Stano tha, gjithashtu, se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në lidhje me të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj mediave dhe qytetarëve në trazirat e muajit maj të vitit të kaluar.

“BE-ja, në mënyrë të përsëritur, ka shprehur pritjet që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të kapur dhe për t’i sjellë shpejt para drejtësisë kryesit e akteve të dhunës nga ana e protestuesve serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj të vitit 2023. Gjithashtu, edhe për sulmet e dhunshme më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, tha ai.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë