Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Sapo ka mbërritur, Berisha ka takuar kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi me të cilën ka ndarë edhe një përqafim.
Në protestë, do të ketë 20 folës, me Berishën i cili do të flasë i fundit dhe Kryemadhi para tij.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë konfirmuar bashkëpunimin midis tyre për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Para se të mbërrinte në selinë blu, Berisha u shpreh për Euronews Albania se protesta e sotme do të jetë e fuqishme.
Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”, ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar 2 orë leje në policinë e Tiranës.
Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.
Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.