Veprimet me psikikë të çrregullt nga një president absolut në një shtet, i trembin bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me frikën e tyre të sëmurë. Kjo frikë i detyron që këta të shkojnë deri në vrasjen e presidentit të tyre.
Shkruan Spartak Ngjela
Analiza jonë që kemi bëri që në ditët e para të luftës Rusi-Ukrainë, po rezulton e saktë. Shenjat po tregojnë se Putinin do ta likuidojnë. Ose do të likuidohet Putini, ose do të shkatërrohet Rusia me një dëm kolosal ekonomik. Në fakt ky nuk është rasti i parë në histori kur krerët si Putini kanë prekur stabilitetin e shtetit dhe tregun.
Kurse, në një kohë lufte…
Veprimet me psikikë të çrregullt nga një president absolut në një shtet, i trembin bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me frikën e tyre të sëmurë. Kjo frikë i detyron që këta të shkojnë deri në vrasjen e presidentit të tyre. Dhe dihet si fakt historik se, në një periudhë lufte, këtë e bëjnë gjeneralët e ushtrisë.
Kjo është një e vërtetë historike që ka vijuar me vrasje presidentësh apo komandantësh të ushtrive nëpër luftëra pushtuese.
Putini nuk e mori në konsideratë as historinë heroike të Ukrainës, as forcën morale dhe ushtarake të Perëndimit dhe as dobësinë e theksuar të Rusisë kundrejt forcës së Amerikës.
Tani politika amerikane po tallet me të. Por ai nuk mund të imagjinonte që një president i Ukrainës do ta mundte në luftë Rusinë. Tani, të gjithë këta faktorë bashkë kanë konverguar në një pikë: te kapitullimi i Vladimir Putinit. Por kjo do të sjellë në botën demokratike një progres të ri.
Edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe vetë shqiptarët, në të dy shtetet e tyre, do të kenë favoret e veta kombëtare. Putini erdhi në pushtet si një forcë antiperëndimore, dhe pasioni anti-Perëndim ia errësoi arsyen. Kërkonte të jepte një shembull force në Evropë, dhe po bie viktimë e arsyes së tij të mangët, e cila nuk e analizonte dot forcën që kanë sot Shtetet e Bashkuara në të gjithë Perëndimin. Po tani?
Putini tani është drejt falimentimit. I janë vrarë katër gjeneralët e tij agresivë dhe besnikë.
(!)Ka pasur humbje të mëdha në njerëz dhe mjete lufte, dhe ka të dhëna që po shkon drejt një dekadence mendore. Atëherë, çfarë do të bëjnë figurat ruse me mend në kokë?