Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, gjatë një interviste që ka zhvilluar për rubrikën “Milori Live” në Klan News është shprehur se nga persona pranë Lulzim Bashës, është hedhur ideja e një negocimi ndërkombëtar për ta bërë Bashën President, që të lirohet PD.
Fevziu u shpreh se personalisht kjo gjë i duket e sajuar dhe shtoi se nëse do të ishte e vërtetë atëherë do të ishte skandal.
Ndër të tjera, Fevziu u shpreh se nuk mendon se do të ketë një pajtim Basha-Berisha. Sipas gazetarit, filozofia e Bashës është që t’i tërheqë gjërat zvarrë dhe kurrë nuk merr vendime.
“Nuk e besoj. E para, gjithë kjo që po ndodh në Partinë Demokratike është në stilin e Lulzim Bashës në mënyrën si funksionon që i tërheq gjërat zvarrë dhe nuk merr kurrë vendime. Ky ka qenë problemi më i madh i Bashës me përjashtim të nja dy vendimeve radikale dhe ky ka qenë shkaku që gjithmonë njerëzit kanë menduar që ka qenë ndikimi i Berishës i cili ka qenë njeri vendimmarrës në raport me Bashën. Basha ka pasur filozofinë, nuk është e gabuar kjo, është një filozofi lëri gjërat, shtyji sa më shumë kohë, lëri se zënë vetë vendin e tyre, por mos u bëj protagonist për të vënë kufirin ti. Kjo ka qenë filozofia e Bashës, ky ka qenë stili i Bashës vazhdimisht në politikën shqiptare. Ndryshe nga liderë karizmatikë që marrin vendime, Basha ka qenë lëri të rrjedhë dhe mos merr një vendim derisa ta gjejë veten rrugës. Në këtë dejtim po shkon. Ka pasur jo negocim, por një vizitë që është kuptuar si negocim. Mua nuk më rezulton, por nuk kam shumë informacione të Elmar Bork-ut që ka ardhur dhe takuar faktorë si kontestues të Bashës si mbështetës të Bashës përfshirë zotin Basha dhe Berisha. Kam disa informacione, por derisa nuk i kam të konfirmuara personalisht nuk mund t’i ndaj. Ndërkohë që sot nga njerëz pranë zotit Basha, por gjithmonë pranë, nuk kemi informacion nga burimi, është hedhur ideja ose ka pasur kontakte duke thënë që shiko, po shihet mundësia e një negocimi ndërkombëtar për ta bërë Bashën President në mënyrë që ta heqin nga PD. Kjo është një pikëpyetje tjetër nëse është e vërtetë apo jo. Mua personalisht më duket e sajuar sepse nuk mund të negociohet me një njeri që ka humbur çdo gjë për ta çuar President vetëm për të liruar PD.
Kjo mendohet si një “soft exit” në mënyrë që të mos ketë probleme. Kjo pastaj do ishte skandaloze nëse ky negocim do ishte i vërtetë. Dyshoj që të jetë i vërtetë. Nëse do ishte i vërtetë do të ishte skandal sepse do ta konsideronte Presidencën e Republikës si një plaçkë tregu që i jepet një njeriu thjesht për të mos prishur atë establishmentin e brendshëm”, tha Fevziu.