Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjes mbrëmjen e së hënës kur në portën e shtëpisë së kreut të FSHF-së, Armando Duka, shpërtheu një sasi tritoli.
Ish-kreu i qeverisë e konsideron këtë ngjarje një akt të mirëfilltë të terrorizmit shtetëror.
“Tritoli në derën e shtëpisë së Armand Dukës! Akt i mirëfillte i terrorizmit shtetëror të klanit Edvin-Olsi Rama. Të dashur miq, një super skandal shpërtheu dy ditët e fundit në fushatën zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mediat njoftuan mbrëmë se në derën e shtëpisë së Presidentit të Federatës Shqiptare te Futbollit, Armand Duka u vendos dhe shpërtheu një eksploziv i fuqishëm, tritol. Ky akt i mirëfilltë i terrorizmit shtetëror ndaj zotit Duka vjen si formë kulmore terrori ndaj tij i klanit të mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës, Edvin dhe Olsi Rama. Ky klan mafioz meqenëse nuk sigurojnë dot votat për pushtimin në zgjedhjet e 2 Marsit të FSHF, ishullit të fundit që nuk ndodhet në pushtetin e tyre ka vendosur ta pushtojnë atë ‘manu militari’ qoftë dhe me akte terroriste”, shkruan Berisha.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Berisha dënon aktin dhe bën thirrje që të hetohet ngjarja.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e këtij krimi. Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe përgjatë mëngjesit të sotëm janë shoqëruar disa persona, por më pas janë lënë të lirë.
Autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në mënyrë që të mësojnë itinerarin që ka ndjekur autori që ka hedhur tritolin. Nga ngjarja e së hënës nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale