Friday, November 22, 2024

Mali i Zi fajëson shërbimet ruse për sulmin kibernetik

Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) konfirmoi më 26 gusht për Radion Evropa e Lirë se shërbimet ruse ishin përgjegjëse për një sulm të fuqishëm kibernetik që preku të gjithë strukturën shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi.

Sipas agjencisë, sulmi i së premtes ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedentë në shtetin ballkanik.

“Infrastruktura kritike shtetërore është sulmuar”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Agjencisë së Sigurisë së Malit të Zi.

Sulmi i fundit kibernetik në infrastrukturën qeveritare të Malit të Zi ndodhi herët në mëngjesin e së premtes, dhe agjencitë qeveritare nuk e kanë bërë ende të ditur shkallën e dëmit.

Struktura informative e qeverisë së Malit të Zi u sulmua nga hakerat duke e bërë të pamundur aksesin. Podgoricë, 26 gusht 2022.

Më herët, kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviç konfirmoi se qeveria e Malit të Zi është sulmuar nga hakerat për herë të dytë në pesë ditë, duke i quajtur sulmet të motivuara politikisht.

“Në gjykimin tim modest, ky është një sulm i motivuar politikisht,” tha Abazoviq, duke kujtuar edhe sulmin e mëparshëm kibernetik në 23 gusht pasi qeveria e tij u rrëzua pas mocionit të mosbesimit.

Për shkak të sulmit të fundit kibernetik, qeveria e Malit të Zi ka caktuar një seancë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit.

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ishte i pari që e bëri njoftimin mëngjesin e sotëm në llogarinë e tij në Twitter, kur deklaroi se Mali i Zi ishte i ekspozuar ndaj një serie të re sulmesh kibernetike mbi infrastrukturën informative të qeverisë.

“Objektivi kryesor është struktura e organeve shtetërore”, tha Dukaj, duke shtuar se “aleatët janë informuar” për sulmet.

Zyra e Brendshme dhe prokuroria po hetojnë sulmet e deritanishme në Infrastrukturën Informative të Qeverisë së Malit të Zi.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë