Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog, pavarësisht se forcat ruse kanë nisur sulm ndaj Ukrainës.
“Fatkeqësisht, miqtë tanë perëndimorë nuk e respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke tentuar ta shkatërrojnë atë dhe të promovojnë atë që e quajnë ‘rend të bazuar në rregulla’”, ka thënë Lavrov për agjencinë shtetërore të lajmeve, Ria Novosti.
“Ne kemi pasur diskutime intensive dhe të detajuara me kolegët tanë amerikanë, dhe anëtarët tjerë të NATO-s”, ka thënë ai.
Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë “gjithmonë e gatshme për dialog, që do të na kthejë te drejtësia dhe parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e kanë paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Moskës.