Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet ta paralajmërojë presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, kundër “veprimeve të ngutshme” të cilat mund të dëmtojnë raportet SHBA-Turqi, tha një zyrtar amerikan.
Në fillim të këtij muaji, presidenti Erdogan, urdhëroi shpalljen “non grata” (të padëshiruar) të dhjetë ambasadorëve perëndimor në Turqi, përfshirë atë amerikan, pasi ata kishin kërkuar lirimin e aktivistit të burgosur, Osman Kavalla.
Nëse do të ndodhnin dëbimet e ambasadorëve, atëherë ky do të ishte një veprim i pashembullt në raportet mes vendeve anëtare të NATO-s. Më pas, Erdogan e tërhoqi kërcënimin dhe tensionet u zbutën. Ai tha se qëllimi i Ankarasë nuk ishte të krijonte një krizë. Biden dhe Erdogan po marrin pjesë në një samit të Grupit G20-ës në Romë të Italisë.
Një zyrtar amerikan, duke folur me gazetarët tha se Biden do t’i thotë Erdoganit se “duhet gjetur një mënyrë për të shmangur krizat dhe se veprimet e ngutshme nuk janë në dobi të partneritetit dhe aleancës SHBA-Turqi”.
Mosmarrëveshja nisi kur ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar lirimin e Kavallës.
Filantropi, Kavalla, 64-vjeç, për katër vite po mbahet në paraburgim edhe pse ende nuk ka një vendim për dënimin e tij nga gjykata.
Paraburgosja e tij ndodhi pas protestave dhe tentativës për grusht shtetit në vitin 2016. Biden do të diskutojë gjithashtu me Erdogan lidhur me kërkesën e Turqisë për të blerë avionë luftarakë F-16, raportet në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve dhe një sërë çështjesh rajonale si Siria dhe Libia.
Ligjvënësit amerikanë i kanë kërkuar administratës së Bidenit të mos pranojë t’i shesë Turqisë F-16 dhe kanë kërcënuar se do të bllokojnë çdo eksport të tillë me arsyetimin se Turqia kishte blerë sisteme ruse të mbrojtjes raketore S-400.
Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është tensionuar vitet e fundit për shkak të dallimeve politike në Siri, blerjes së raketave ruse të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut./REL