Rezultati nuk ishte ai që donte, por pavarësisht humbjes 2-1 kundër Italisë në ndeshjen e parë të Euro 2024, Silvinjo e sheh gotën gjysmë plot. Trajneri i kombëtares shqiptare nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, por u mundua të nxjerrë në pah anët pozitive.
“Skuadrat e dinin që kanë një rrugë të vetme, që duhet vetëm të fitojnë se është një grup i vështirë. Ata e kanë lëvizur topin shumë shpejt, ishte me të vërtetë për të ardhur keq që nuk kemi mundur t’i rezistonim kësaj. Siç e thashë, nuk është e lehtë se ka pasur edhe gjëra të mira, por po të mos pësonim të dytin do të kishte qenë një ndeshje e mirë për ne. Natyrisht jam i zhgënjyer për rezultatin, por si trajner unë dua të falënderoj të gjithë shqiptarët në tribuna që kanë qenë të mrekullueshëm”.
Përveç forcës së kundërshtarëve, Silvinjo tregon edhe një tjetër detaj që sipas tij kushtëzoi Shqipërinë.
“Është hera e dytë që jemi në Europian. Kemi shumë të rinj, por nuk është e lehtë, duhet që të luajmë në shumë kompeticione, ne Europianë, në Kupën e Botës dhe të kemi përvojë më të mirë. Shumë gjëra i bëjmë siç duhet, por 45 minutat e para kanë qenë të vështira. Kemi pasur përballë një kundërshtar shumë të fortë që dëshiron të fitojë kompeticionin, me lojtarë të nivelit të lartë”.
Humbja me Italinë nuk mund të ndryshohet. Silvinjo e di mirë këtë dhe sheh përpara.
“Mendoj se ndeshja e radhës do të jetë më ndryshe, ne kemi për të parë një skuadër tjetër. Kroacia është e mirë nga ana teknike dhe kanë lojtarë të nivelit më të lartë. Duhet të përgatitemi mirë dhe të bëjmë një përgatitje taktike për të provuar dhe vazhduar më tej”.