TIRANË– Policët e arrestuar në Kukës, të akuzuar për korrupsion në Shqipëri dhe Kosovë, kanë dalë sot para Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nën masa të forta sigurie.
Gjatë seancës së sotme, mësohet se mbrojtja ka kërkuar shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Kukësit për caktimin e masave të sigurisë. Por GJKKO ka lënë në fuqi kërkesën e SPAK duke lënë në burg 19 efektivë të policisë. Ndërkohë është caktuar ‘Arrest në shtëpi’ për 8 efektivë dhe ‘Pezullim të ushtrimit të detyrës’ për 4 efektivë.
Në bisedat e përgjuara, efektiveët e kufirit përmendin herë pas here shumat e parave të perfituara për kontrabandimin e mallrave, si dhe favorizimin e trafikut të makinave. Madje, në disa raste, ata u kërkojnë qytetarëve të paguajnë sepse nuk kanë qenë të pajisur me dokumentat e vaksinimit anti-COVID. Për këto kalime të paligjshme merrnin 5-10 euro, por me kujdes të madh që të mos pikaseshin nga kamerat.
Po ashtu, burime bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar në një moment kur punonjësit e kufirit ishte mbledhur për të bërë analizën e 3-mujorit të parë të vitit, lidhur me rezultatet e punës. E pikërisht në atë moment, hetuesit e SPAK, agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Teksa bënin analizën, disa prej tyre dëshmuan edhe prangosjen e kolegëve të tyre, të cilët u merrnin lekë nën dorë qytetarëve dhe më pas ryshfetin e ndanin me njëri-tjetrin.
Edhe pse kishin nuhatur se po i vëzhgonin, sërish duket se efektivët e Policisë së kufirit nuk e kanë pritur që aksioni të kryehej në momentin kur ndodhi. Në ditën e një prej mbledhjeve më të rëndësishme të vitit. Disa ditë më parë ata kishin pikasur kamerat përgjuese dhe mikrofonët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe i kishin thyer, por tepër vonë. Ato kamera kishin zbuluar qindra raste korrupsioni, me zë e figurë, madje dhe momentin kur ndanin paratë me njëri-tjetrin.
Bazuar në njoftimin e SPAK, dyshohet se efektivët shqiptarë por edhe ata të Kosovës për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetarëve kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, madje kalonin edhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk i regjistronin fare në sistemin TIMS, por vetë merrnin si fitim deri në 8000 euro në ditë. 312 raste korrupsioni janë kryer nga 32 policë të doganës e Morinit në Kukës. Nga operacioni i përbashkët i autoriteteve policore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky ishte operacioni i dytë që zhvillohet për të njëjtin qëllim. Operacioni ‘Pika 1’ u finalizua më 14 mars, ku 48 zyrtarë policorë u ndaluan pasi dyshoheshin për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.