Saturday, June 28, 2025

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunimi ekonomik në ujëra të turbullta

Që kur qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nisën mbledhjet e përbashkëta në vitin 2014, janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje bashkëpunimi që nga ekonomia deri te çështjet arsimore, por në terma konkretë, dy shtetet e të njëjtit komb kanë përparuar me hapa shumë të ngadaltë. Në sfond të takimeve të shpeshta qeveritare barrierat tarifore, procedurat burokratike dhe konfliktet tregtare kanë mbetur të njëjta.

Progresi më shumë se prej mbledhjeve rutinë të qeverive vjen nga Rruga e Kombit. Volumi tregtar ndërmjet vendeve shënoi rritje të shpejtë gjatë periudhës 2007-2013, kur u aktivizua autostrada Durrës – Kukës, e cila e shkurtoi distancën në rreth 3 orë nga 9-10 orë më parë.

Nga viti 2007 deri në vitin 2013, tregtia ndërmjet shteteve shqiptare u rrit me 155%, dhe më pas përparimi ishte më i ngadaltë për shkak të rritjes së barrës së tarifave me skanimin në dogana, tarifën në Rrugën e Kombit dhe një tarifë për terminalet e kamionëve në Kosovë. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet vendeve u rrit me 44%.

Tregtia

Nga viti 2007 deri në vitin 2013, tregtia ndërmjet shteteve shqiptare u rrit me 155%, dhe më pas përparimi i ishte më i i ngadaltë për shkak të rritjes së barrës së tarifave me skanimin në dogana, tarifën në Rrugën e Kombit dhe një tarifë për terminalet e kamionëve në Kosovë. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet vendeve u rrit me 44%. 

Gjeopolitika rajonale duket se ndikoi së fundmi bashkëpunimin ndërmjet vendeve, teksa Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi nuk u bë pjesë e tregut të përbashkët rajonal dhe nismës “Ballkani i Hapur”, ku deri më tani, kanë rënë dakord vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Vitin e kaluar, 2020, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ra me rreth 8%, ndërsa në të njëjtin vit, pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia, volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë u rrit me rreth 3%.

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, tha se, barrierat tarifore dhe jotarifore me Kosovën kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, megjithëse qeveritë e dy shteteve kanë shprehur vullnetin politik për zgjidhjen e tyre shumë herë.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës është shprehur se gjatë viteve, prodhuesit kanë hasur pengesa të shumta në tregtimin e produkteve të tyre në Shqipëri. “Pa marrë parasysh gjuhën e ëmbël që e përdorin politikanët e Shqipërisë, procedurat po i kanë shumë të hidhura me prodhuesit e Kosovës.

Kërkesa jonë e parë është heqja e pagesës së skanerit në Shqipëri, për të gjithë qarkullimin, import, eksport Shqipëri-Kosovë. Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri. Njohja e certifikimeve dhe analizave fitosanitare etj.”, tha zoti Panxha.

Kanë kaluar shumë vite që kur qeveritë kanë rënë dakord të lehtësojnë këto pengesa, duke hequr barrierat jotarifore, por në realitet ato kanë mbetur të njëjta.

Efektet më të dukshme në turizëm

Progresi i deritanishëm i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë i dedikohet më së shumti lehtësimit në lëvizje që ka krijuar Rruga e Kombit, sesa retorikave politike dhe mbledhjeve të përbashkëta qeveritare. Patriotizmi është materializuar më shumë nga qytetarët se nga qeveritë. Zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit në Shqipëri vijnë më së shumti, prej prurjeve nga Kosova. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj nga toka pas vitit 2009 u shtuan ndjeshëm.

Në vitin 2010 hynë gjithsej në vendin tonë 1,4 milionë persona në rrugë tokësore, me rritje gati dyfish më shumë se vitin 2008, ku kishin hyrë 782 mijë persona. Hyrjet e personave të huaj në vendin tonë dominohen nga qytetarët e Kosovës që vijnë për pushime dhe fundjava në Shqipëri.

Rruga që lehtësoi tregtinë

Nga viti 2005 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është 10-fishuar. Vitin e kaluar, volumi tregtar mes shteteve arriti në 281 milionë euro, nga rreth 30 milionë euro në vitin 2005.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2005, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ishte vetëm 3,6 miliardë lekë, ose rreth 29.8 milionë euro, por u zgjerua me ritme të shpejta pas vënies në funksion të Rrugës së Kombit në vitin 2009. Në tre vitet e mëpasshme 2010, 2011 dhe 2012, tregtia ndërmjet vendeve u rrit më shumë se dyfish, duke arritur në 22,4 miliardë lekë më 2012 nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2008 para se të hapej aksi i ri.

Rruga e vjetër Tiranë-Prishtinë, 331 kilometra e gjatë, me dy korsi e shumë kthesa mund të përshkohej për më shumë se 9 orë në kushtet normale të motit. Për më tepër, kthesat e shumta dhe rrezikshmëria në disa vende e bënin të pamundur transportin me kamionë (trajlerë) dhe autobusët e mëdhenj për udhëtarët.

Autostrada e re me katër korsi që nisi në vitin 2006 dhe u bë funksionale për automjetet në vitin 2010, një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor e shkurtoi distancën mes kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës, në pak se tre orë. Në vitin e parë të qarkullimit të automjeteve (2010) tregtia ndërmjet vendeve u zgjerua me rreth 36%.

Pavarësisht se tregtia ndërmjet shteteve duket sikur është rritur me shpejtësi, kapacitetet e bashkëpunimit nuk janë shfrytëzuar tërësisht. Tregtia ndërmjet vendeve ka pësuar luhatje në 10 vitet e fundit, duke pasqyruar konfliktet tregtare midis vendeve si dhe tarifat e reja që u vunë për lëvizjen e mallrave./Monitor

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë