Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Peqin, ku u gjet i vrarë Alban Semaku.
Burime për ”Konfidenciale.com”, bëjnë me dije se Semakut i është ngritur kurth dhe se persona të njohur për të e kanë nxjerrë në pritë, ku më pas dyshohet se është ekzekutuar.
Ai mendohet se është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është hedhur në Peqin. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Ndërkohë hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në aksin Lushnje-Rrogozhine-Peqin.
E kaluara e Alban Semakut
Semaku nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2006, ai është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës e kishte dënuar për një vrasje të ndodhur në atë qytet.
Po ashtu, kur kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgu, në 2015, Semaku u arrestua sërish, pasi ka kanosur me armë zjarri për motive banale një pronar Servisi. Për këtë vepër penale ai është dënuar me 6 vite burg dhe mësohet se ka dalë nga qelia në 6 maj të këtij viti.
38-vjeçari njihej edhe si anëtar i bandës së Lushnjës, e kryesuar nga Aldo Bare. Kjo bandë veproi për disa vite, deri kur Aldo Bare u arrestua në Turqi.