Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.
Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.
Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.
Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.
Në të është thënë se ushtria ruse do të hyjë në Donetsk “me kërkesë të republikës për të siguruar paqen”.
Aty po ashtu i kërkohet Ministrisë së Jashtme të Rusisë të përgatisë “një marrëveshje për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të dyanshme” me Republikën e Donetskut dhe që ajo t’i dërgohet Kremlinit për nënshkrim.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.
Çfarë tha Putin gjatë fjalimit?
Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.
Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.
Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.
Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.
Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.
Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.
Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.
SHBA do të ndalojë tregtinë me rajonet lindore të Ukrainës
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të lëshojë një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë “investimet e reja, tregtinë dhe financimin e personave amerikanë nga dhe drejt” dy rajoneve në lindje të Ukrainës, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka njohur si entitete të pavarura të hënën, më 21 shkurt, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Ky urdhër do të “ofrojë autoritet për të vendosur sanksione ndaj secilit person që vërtetohet se vepron në këto zona të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate.
Psaki ka thënë se këto masa do të zbatohen shpejt dhe se janë të ndara nga sanksionet që SHBA-ja dhe aleatët kanë përgatitur nëse Rusia pushton Ukrainën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se shtetet kanë obligim të mos njohin një “shtet” të ri, të krijuar përmes kërcënimit apo përdorimit të forcës, ashtu sikurse kanë obligim të mos prishin kufijtë e një shteti tjetër.
“Vendimi i Rusisë është një tjetër shembull i mosrespektimit flagrant të ligjeve dhe normave ndërkombëtare nga ana e presidentit Putin”, është thënë në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.