Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës për dokumentet është verbale dhe se u arrit të merrej më e mirë nga vendi i tij.
Vuçiç theksoi se arritja e marrëveshjes nuk nënkupton se njeh Kosovën si shtet i pavarur, shkruan Euronews Serbia.
“Arritja e marrëveshjes për dokumentet është një gjë e mirë për ne, është një marrëveshje verbale, mendoj se kemi arritur të korrigjojmë diçka, kemi luftuar për shtetësinë serbe në Kosovë. Dokumentet e Serbisë janë të vlefshme për Kosovën, kemi gjetur interpretimin më të mirë, që është se serbët në Kosovë kanë të drejtën e dokumenteve nga Serbia”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç tha se është gjithmonë i gatshëm që të marrë pjesë në mbledhje të Kuvendit të Serbisë sa i përket Kosovës.
Të shtunën, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmi është dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter. Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.