Opozita bashkoi votat me mazhorancën dhe së bashku miratuan ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut deri më 31 Dhjetor të vitit 2024.
118 votat janë arritur falë votave pro të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI ka abstenuar ndërsa një pjesë e deputetëve mbështetës të Berishës nuk morën pjesë në votim.
Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë, Lulzim Basha shprehu votën “pro” zgjatjes së afateve të Vettingut që në nisje të seancë, ndërsa e justifikoi këtë me faktin se vota ishte pro integrimit europian.
“Sot nuk kemi drejtësinë që duam por do të ishte edhe më keq nëse procesi do të mbetej në mes dhe do të ndërpritej integrimi europian i vendit. Reforma në drejtësi ka pasur ecejaket e saj, ngecje devijime dhe vazhdon të ketë. Brenda pak ditësh trekëndëshi i Bermudës, Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka që të largojnë ONM dhe vetingu të shkojë në drejtim të paditur”.
Ndërkohë që ish-Kryeministri Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit deklaruan që në nisje të seancës votën kundër, duke akuzuar Lulzim Bashën se është në pazar me kreun e qeverisë. Berisha nuk e la pa thumbuar Bashën, teksa ky i fundit po ngjiste shkallët e Parlamentit.
“Armiku më i madh është ai që të rri pas shpine, prandaj dil përpara. Nuk votoj bashkëpunim mes pengut dhe pengmarrësit, është projekt që nuk i beson shoqëria shqiptare”.
Argumentet kundër i vijoi edhe brenda sallës së kuvendit, ku replikoi me deputetin Ervin Salinaji, duke i nxjerrë një video me deklaratat e Lulzim Bashës që deklaronte votën kundër Vettingut.
“Nëse ka përgjegjës për Reformën në Drejtësi duhen gjetur tek ajo pjesë që e ka votuar dhe që ka zgjidhur gjysmat e komisionerëve të votimit dhe një pjesë e deputetëve janë aty që kjo i shërben Edi Ramës”, tha Ervin Salianji.
Kuvendi votoi me shumicë votash edhe propozimet për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ata për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.