Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku ka bërë me dije rezultatet përfundimtare të analizave të ujit të Krujës që bëni që më shumë se 600 qytetarë të përfundonin në spital.
Në një deklaratë për mediat, Ulqinaku tha se mostrat janë marrë pasi Ujësjellësi i Krujës ka bërë klorifikimin e tij, por pavarësisht kësaj një pikë ka pasur sërish ndotje me bakterin Enterokokus që ka sjellë dhe shqetësimet tek qytetarët.
Ulqinaku shtoi se kemi të bëjmëme një epidemi hidrike dhe se përgjegjësia bie mbi Ujësjellësin e Krujës që duhet ta kishte kapur këtë situatë më shpejt dhe të kishte marrë masat. Gjithçka, sipas numrit dy të ISHP-së ka ardhur nga reshjet e shumta.
“Nga analizat e marra nga ISHP ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri Enterokokus, shkak i këtyre shqetësimeve. I kam ndjekur nga afer. Rezultatet zyrtare…ne kemi konstatuar në një pikë por mund të themi që rezultatet kanë ardhur pas pastrimit që ka bërë vetë Ujësjellësi i Krujës, kam bindjen që s’do të ketë më asnjë lloj problemi në ditët në vijim. Por prania e një ndotjeje të tillë qoftë edhe në një pikë na bën të mendojmë që kemi një epidemi hidrike. Përgjegjësia është e Ujësjellësit të Krujës. Mostrat i kemi marrë pasi Ujësjellësi i Krujës ka bërë klorifikimin dhe dezinfektimin,”- tha Ulqinaku.