Prokuroria e Krujës ka nisur hetimet për akuzën e “ndotjes së ajrit, ujrave dhe tokës me pasojë dëmtimin e shëndetit të njerëzve” lidhur me helmimin masiv të qytetarëve që ndodhi dy ditë më parë. Në njoftim thuhet se do të hetohet shkaqet dhe kush janë përgjegjësit.
Ndërkohë ka shkuar në 500 numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Krujës deri mëngjesin e sotëm me shenja helmimi.
“Prokuroria e rrethit gjyqësor Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotje e ajrit e ujrave dhe tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave parashikuar nga neni 2021 pg 3 Kodit Penal.
Hetimi në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës”, thuhet në njoftimin e sotëm të kësaj prokurorie.