Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rrëzuar Bordin e Transparencës. Qeveria ngriti dy borde, atë për karburantet dhe atë për ushqimet duke diktuar çmimet në treg, por përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar e cilësojnë të gabuar.
Sipas tyre, nuk ka nevojë për borde, por t’u jepet ndihmë konkrete familjeve në nevojë.
“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, thuhet në një deklaratë pas vizitave që përfaqësuesit e Bordit bënë në Tiranë.
Në përmbyllje të vizitës në vendin tonë, misioni i FMN-së ka propozuar po ashtu rishikimin gradual të tarifave të energjisë elektrike, përmes një skeme që mbron shtresat e varfra.
“Trazirat në tregjet energjetike globale kanë rënduar më tej barrën fiskale që vjen prej sektorit të energjisë elektrike dhe theksojnë nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfra dhe në nevojë”, thuhet më tej.