Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal deklaroi se vendi po humbet 170 milionë dollarë çdo ditë, për shkak të bllokimit të porteve dhe kjo ka bërë që prodhimet ukrainase të mos eksportohen.
Deklaratën, Shmyhal e dha gjatë një vizite në portin jugor të Odesës së bashku me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, shkruan BBC. Sipas Shmyhal, eksportet e Ukrainës janë përgjysmuar.
“Nëntëdhjetë milionë tonë prodhime bujqësore, të cilat Ukraina planifikoi të eksportonte në vendet e Azisë, Afrikës dhe Evropës janë bllokuar”, tha Shmyhal.
SHBA deklaroi të hënën se do të pezullojë tarifat për çelikun ukrainas për një vit, duke përmendur dëmin që lufta i ka shkaktuar industrisë.
Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, vendosi një tarifë prej 25% për importet e çelikut nga disa vende, përfshirë Ukrainën.