Zëvendëskryeministri i parë për integrim europian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi se Serbia e shfrytëzoi takimin e djeshëm në Bruksel për të mashtruar ndërkombëtarët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beslimi tha se takimi ishte thirrur pas garancive se pala serbe do të ishte konstruktive dhe se do të kishte propozime konkrete për zgjidhje për problemin e targave.
Sipas Bislimit, pala serbe nuk ishte e gatshme për bashkëpunim, teksa shtoi se kjo ishte mundësia e fundit për të gjetur një zgjidhje për targat e automjeteve.
Ai i cilësoi si të pakuptimta deklaratat e palës serbe, të cilët thanë se delegacioni i Kosovës nuk ishte e gatshme për takim trepalësh.
Takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të premten në Bruksel është mbyllur pa asnjë marrëveshje për targat. Lajmin e bëri të ditur fillimisht i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialog, Miroslav Lajçak.