Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është treguar më i prerë së kurrë ndaj lëvizjes së Berishës dhe njoftimit të tij për organizimin e Kuvendit më datë 11 dhjetor, teksa ka paralajmëruar edhe përjashtimin e tij nga partia.
Në një intervistë për ABC, Basha u shpreh se statuti e përcakton qartë se si duhet të sillet partia me ata që përçajnë partinë dhe bëjnë organizime të tilla në një kohë kur vetëm pak muaj më parë janë zhvilluar edhe zgjedhjet për kryetarin.
Sipas deklaratës së Bashës, Berishën e pret përjashtimi nga PD në rast të organizimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së që e ka paralamëruar në 11 dhjetor.
ABC: Zoti Basha, ju deklaruat pak muaj më parë se nuk do të ketë një Kuvend, që do të marrë në shqyrtim vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërkohë që në vendimin e kryesisë, në hyrje të tij bëhet e qartë se , pikërisht se Kuvendi i datës 18 dhjetor është si rrjedhojë e shpalljes non grata të ish-kryeministrit Berisha, ndërkohë që ju keni folur edhe për sanksione në atë vendim të Kryesisë së Partisë Deomokratike. A do ta përdorni ju nenin 27 ndaj Sali Berishës, apo kujtdo që organizon një Kuvend në datën 11 dhjetor?
Lulzim Basha: Një herë duhet të jemi të hapur e të vërtetë jo vetëm me demokratët, por me të gjithë shqiptarët, sepse fatet e Partisë Demokratike janë të lidhura me fatet e shqiptarëve dhe fatet e shqiptarëve sot më shumë se kurrë janë të lidhura me fatet e Partisë Demokratike.
Kjo nuk është një parullë. Besoj është e qartë për këdo që kërkon shpëtim ekonomik, social, mendor, shpirtëror që nuk ka asnjë forcë tjetër, asnjë alternativë tjetër bindëse për të larguar shkaktarin kryesor të krizës së gjithanshme që po përjeton Shqipëria, përveç Partisë Demokratike.
E pra, është fakt që Partia Demokratike ka nisur një aksion opozitar, me një front të gjerë dhe me iniciativa jashtëzakonisht të rëndësishme, siç janë iniciativat për ndryshimet kushtetuese, për komisionet hetimore për zgjedhjet, për inceneratorët, për çështjen Bechetti, që prekin drejtpërdrejtë çështjen e demokracisë në vend dhe rikthimin e Shqipërisë në shinat e demokracisë që është premtimi kryesor dhe arsyeja e vetme pse Partia Demokratike, forcën që qytetarët na dhanë më 25 prill, përveç masakrës zgjedhore, prapë se prapë po e përdorim në Parlament për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, por edhe në përditshmëri.
Se në përditshmërinë e shqiptarëve, problemi kryesor, pavarësisht prej zallamahisë që përpiqen të krijojnë faktorë të tjerë, është buka e gojës, është punësimi, është shëndeti, është arsimimi i familjeve të tyre, i fëmijëve të tyre.
Dhe në këtë kuadër, ne kemi përparuar në të gjithë frontin, duke përfshirë dhe propozimin tonë për uljen e TVSH-së për shportën ushqimore.
Këtij aksioni i është mbivendosur një tjetër aksion, zanafilla i të cilit është vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Sali Berishën non grata.
Ndaj këtij vendimi, Sali Berisha fillimisht ka mbajtur qëndrimin se nuk do të përfshij Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar. Pra, do të lejojë që Partia Demokratike dhe grupi parlamentar të bëjë punën për të cilën ekziston, t’i shërbejë njerëzve, t’i shërbejë shqiptarëve përmes një opozitë të fortë ballorë të pakompromis me regjimin e Edi Ramës dhe të bëjë gjithçka për të risjell Shqipërinë në shinat e legjitimitetit demokratik.
Kësaj tashmë i është mbivendosur dhe kundërvendosur përpjekja e një individi. Fillimisht përmes të ashtuquajturve “Foltore”, që u kthyen në seanca linçimi për këdo që mendon ndryshe nga Sali Berisha dhe nuk është i gatshëm të sakrifikojë interesa e Partisë Demokratike për interesat e një individi dhe kulmoi me të kundërtën e asaj që premtoi.
Premtoi demokraci të brendshme, premtoi zbatimin e statutit dhe për fat të keq, siç e patë vetë para disa ditësh, bëri të kundërtën dhe unë e di që edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë jashtëzakonisht të mërzitur me faktin se ajo që nisi si një demokraci e brendshme apo për statutin përfundoi përmes një blofi të tillë që në fakt është një tallje dhe një fyerje e madhe me të gjithë demokratët, përfshirë edhe ata demokratë që mund të kenë besuar fillimisht se kjo ishte një lëvizje për interesat e demokratëve.
Dhe që tani shohin një diskreditim të pamerituar edhe të vullnetit të tyre nga shumë prej episodeve që janë bërë publike edhe përmes medias. Prandaj në vendimin e kryesisë zanafilla është padiskutim shpallja e Sali Berishës non grata nga Shtete e Bashkuara të Amerikës por Kuvendi i 18 dhjetorit, Kuvendi i Partisë Demokratike nuk ka në agjendë një vendim tashmë të marrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka në agjendë as vendimet e marra në përputhje të plotë me statutin dhe me rregullat e Partisë Demokratike të diktuara nga ky vendim i qeverisë amerikane, partnerit tonë strategjik me të cilin kemi rrëzuar komunizmin, me të cilin kemi ardhur në pushtet, bashkë me të cilin kemi luftuar krimin e organizuar korrupsionin dhe më të cilin kemi futur Shqipërinë në NATO.
Me të cilin kemi bashkëpunuar për pavarësinë e Kosovës, kemi ndërtuar infrastrukturat më moderne dhe me të cilin do të ecim nesër krah për krah për të plotësuar aspiratat e tjera të shqiptarëve, ekonominë, mirëqenien, punësimet, investimet dhe padiskutim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian pasi të kemi larguar këtë regjim.
Të gjitha këto pra janë tema të cilat do të diskutohen në Kuvendin e demokratëve dhe në Kuvendin për demokratët që është Kuvendi i datës 18.
Sa i takon vijave të kuqe. Vija e kuqe nuk i caktoj unë, i cakton statuti. Është detyrimi i çdo demokrati dhe padiskutim është detyrimi i kryetarit të Partisë Demokratike ta zbatojë statutin në veçanti nëse dëmtohen interesat politike dhe elektorale të Parisë Demokratike.
Pra, në qoftë se kemi jo thjesht një retorikë përçarëse, denigruese ndaj demokratëve, veprime të cilat shfokusojnë aksionin politik të partisë Demokratike kundër regjimit, që nga komisionet hetimore te amendamentet kushtetuese, veprime të cilat i bien ndesh interesave elektorale, afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë Partisë Demokratike dhe në qoftë se këto kulmojnë pastaj me veprime të tjera antistatutore dhe që dëmtojnë interesat politike të Partisë Demokratike, përpjekje për përçarje të Partisë Demokratike dhe jo vetëm kaq, por për angazhimin në këtë proces të faktorëve të krimit të organizuar që Partia Demokratike dhe demokratët i kanë patur përballë me 25 prill sepse janë dhe mbeten ushtarët e Edi Ramës të cilëve Edi Rama u ka shkelur syrin për t’i futur nën flamurin e Sali Berishës në një betejë për interesa personale.
Në këtë pikë padiskutim që nuk është më çështje a do të veprohet apo jo statuti, është detyrim politik, është përgjegjësi dhe detyrim politik i çdo demokrati e jo më i kryetarit të p[artisë që statuti të zbatohet. E kundërta do të ishte papërgjegjshmëri me fatin dhe sakrificat e demokratëve.
Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha a kishte mundësi që ju si kryetar i Partisë Demokratike për shkak të angazhimit jo thjesht të Sali Berishës por disa deputetëve të Partisë Demokratike për të menduar ndryshe, për të mbledhur firmat e delegatëve, të gjendej një gjuhë kompromisi pasi janë apo jo në atë që në Partinë Demokratike është etiketuar si kasaforta e kreut të Këshillit Kombëtar. Ato firma janë firma demokratësh, mund të kishte një rrugë kompromisi për të zhvilluar jo 2 por 1 Kuvend Kombëtar?
Lulzim Basha: Nuk ka 2 Kuvende Kombëtare. Ka vetëm 1 Kuvend Kombëtar i cili do të zhvillohet me 18 dhjetor dhe do të jetë Kuvend i bashkimit të demokratëve dhe jo i përçarjes së demokratëve.
Ndërsa vetë procesi i nisur për demokracinë e brendshme apo në emër të demokracisë së brendshme, apo në emër të zbatimit të statutit dhe për të goditur atë që është quajtur moszbatim i statutin që në fakt në ekziston, ky proces ka marrë një goditje të rëndë me atë që ju e quajtët futjen e demokratëve në kasafortë.
Ne nuk e dimë dhe nuk do ta marrim vesh se çfarë ka kasaforta, por ne dimë se faktorë të interesuar në përçarjen e Partisë Demokratike nuk e kanë humbur shansin, nuk e kanë humbur shansin faktorët e krimit të organizuar, Suel Çelët, Aqif Rakipët, Tom Doshët, njerëz që me 25 prill kanë qenë, jo për herë të parë por gjatë gjithë kësaj dekade, nën flamurin e Edi Ramës përballë demokratëve.
Jo si politikan, por me mjete ekstra politike, me banda, me joshje, kërcënime, për të blerë dhe shantazhuar votën e shqiptarëve.
E pra, kjo është një arsye më shumë që 18 dhjetori si një kuvend bashkimi, të japë një përgjigje definitive çdo tentative për të përçarë demokratët dhe të jetë nisja e një aksioni të koordinuar politik në bashkëpunim me shumicën dërrmuese të qytetarëve që e kundërta të ndodhë, jo një pakicë që ka uzurpuar tashmë Shqipërinë, pakica e Edi Ramës, personave të krimit të organizuar dhe oligarkëve, të uzurpojë edhe Partinë Demokratike.
Por që duke nisur nga bashkimi i demokratëve, duke nisur nga një aksion politik i Partisë Demokratike, ta pastrojnë Shqipërinë, shtetin shqiptar dhe zyrat e shtetit shqiptar dhe t’i rikthejmë demokracinë e vërtetë, ku qytetarët të vendosin të pa ndikuar nga krimi i organizuar.
Këtë nuk mund ta bëjë kurrsesi një Parti Demokratike e cila vendoset nën tutelën e Suel Çelëve, Tom Doshëve dhe Aqif Rakipëve.
Dhe këtu dua të them diçka që besoj demokratët e kuptojnë shumë qartë por është t’ia komunikojmë të gjithë shqiptarëve.
Nuk kam prova dhe nuk dua ta besoj, as këtë moment se këta faqezinj të krimit të organizuar i janë vërsulur me mjetet më çnjerëzore demokratëve. Çfarë i lidh ata me kuvendin e Partisë Demokratike, çfarë interesi kanë ata? Përveç faktit që një pjesë e tyre janë apo mund shumë shpejt të shpallen “NON GRATA”.
Ç’lidhje kanë këta që para disa muajsh i kishim kundër, me armë në duar, me para në duar në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Nuk dua ta besoj kurrë se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës.
Nuk dua ta besoj në këtë moment se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës. Por dhe pa diskutim thirrjes së dikujt i janë përgjigjur dhe dihet se kush ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me ta, kush merr pushtet me ta dhe ndan pushtet me ta, ky është Edi Rama.
Është e qartë se ky i ka shkelur syrin për tu futur në flamurin e Sali Berishës dhe këtë kanë bërë, por u bë pothuajse një javë që faktet janë denoncuar publikisht dhe ajo që e ngarkon me përgjegjësi Sali Berishën para çdo demokrati dhe para çdo shqiptari është heshtja dhe mos denoncimi.
Kur këto fakte u denoncuan edhe zyrtarisht nga institucionet e partisë, minimumi, minimumi që pritej nga një ish-kryetar i Partisë Demokratike aq më shumë dikush, ish-kryetari më jetëgjatë i Partisë Demokratike që ka qenë dhe kryeministër dhe president ishte së pari, një kontakt me Partinë Demokratike në institucionet e Partisë Demokratike, që i bënë këto denoncime publike bazuar mbi fakte dhe prova të pakundërshtueshme që ne i disponojmë dhe së dyti, një distancim publik me emër dhe mbiemër sepse ne e dimë që Sali Berisha kur dëshiron flet me emër dhe me mbiemër.
Shpesh here ka ankesa edhe me të padrejtë, shpesh herë duke iu referuar edhe familjarëve apo edhe të afërmve të subjekteve për të cilat flet por është bërë një kohë e gjatë që nga goja e tij nuk janë dëgjuar emrat e disa prej autorëve kryesorë të masakrës zgjedhore si Aqif Rakipi, si Suel Çela, si Tom Doshi apo të oligarkëve të cilët akuzohen nga demokratët e thjeshtë sot nga Shkodra në Elbasan, në Vlorë, në Durrës dhe në Tiranë se po investojnë për fatin e tyre tek përpjekja përçarëse e Sali Berishës e cila në sens kërkon të marrë një pjesë të Partisë Demokratike peng dhe ta përdorë si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendimit të Shteteve të Bashkuara Të Amerikës për ta shpallur të padëshirueshëm apo “NON GRATA”, që është dhe zanafilla e këtij procesi.