Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi se i takon Ukrainës të vendosë nëse do lëshojë territor ndaj Rusisë, në mënyrë që të arrihet paqja dhe të përfundojë lufta.
Deklaratën, Biden e dha këtë të premte para gazetarëve, teksa shtoi se ai nuk mund t’i thotë udhëheqësve të Ukrainës se çfarë duhet të bëjnë me territorin e tyre, shkruan CNN.
“Që nga fillimi, unë e kam thënë dhe jo të gjithë janë dakord me mua, asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Është territori i tyre. Unë nuk do t’u them atyre se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë”, tha Biden.
Sipas Biden, do të duhet të gjendet një zgjidhje për të ndalur luftën, por nuk tha se cila mund të ishte një e tillë.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë ukrainasit që të mbrohen nga sulmet e forcave ruse.