Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka paralajmëruar presidentin rus, Vladimir Putin, se çdo “veprim destabilizues” nga Rusia kundër Ukrainës do të ishte “gabim strategjik” me “pasoja domethënëse”, tha një zëdhënës i tij.
Gjatë një bisede telefonike me Putinin më 13 dhjetor, Johnson ka “theksuar” se Britania është e përkushtuar “për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se kryeministri ka “shprehur shqetësimin e thellë të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufirin e Ukrainës dhe ka ripërsëritur rëndësinë e shtensionimit të situatës përmes kanaleve diplomatike dhe për identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Komentet e Johnsonit janë të ngjashme edhe me shqetësimet e shprehura nga ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, lidhur me grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.
Ministrat e G7-ës kanë bërë thirrje për zgjidhje të tensioneve përmes formave diplomatike.