Një gjyqtare e Gjykatës së Tiranës dhe një prokuror i Shkodrës nuk e kaluan dot vetingun. Brenda një harku kohor prej jo më shumë se 10 minutash, sot paradite (28 tetor) në godinën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u morën dy vendime për shkarkim nga detyra.
Shkarkohet gjyqtarja e Tiranës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Klorinda Çela. Ajo vetë nuk ishte e pranishme në seancë. Prej vitit 2013, ajo ushtronte funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë i asaj kohe kërkoi shkarkimin nga detyra të saj dhe bashkëshortit Ken Dhima për shkak të problemeve me pasurinë –por kërkesa u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Dejtësisë.
Shkarkohet prokurori i Shkodrës
Trupi gjykues i përbërë nga Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja shkarkuan nga detyra prokurorin e Shkodrës Ermir Lelçi
Gjatë seancës së kaluar dëgjimore prokurori u pyet dhe dha shpjegime për burimet e një apartamenti që zotëron së bashku me të atin, për problemet e konstatuara në kriterin profesional dhe gjendjen në konflikt interesi.