Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi se para vitit 1981 është përdorur një vaksinë, e cila asokohe shërbente si mbrojtje ndaj variolës apo lisë së zezë.
Në emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, Tomini u shpreh se kjo nuk është një vaksinë e prodhuar specifikisht për linë e majmunëve, por sot shërben si mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje, për ata persona të cilët kanë kontakte të afërta.
Sipas Tominit, efektiviteti i kësaj vaksine është në nivelin e 85%.
“Nëse të gjithë kemi një historik të vaksinave individuale, apo edhe të bashkëmoshatarëve tanë, të gjithë individët, para vitit 1981 kanë një shenjë në krah ose në pjesën e sipërme të kofshës, që ka të bëjë me variolën e dikurshme apo linë e zezë të ashtuquajtur në atë kohë.
Kjo vaksinë mbron në nivelin 85%, deri në mbi 85% nga lija e majmunit. Kjo është e provuar jo vetëm aktualisht dhe ka marrë autorizimin nga EMA apo OBSH për t’u aplikuar në rastet e kontakteve të ngushta”, tha Tomini.
Ditën e djeshme, Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.