Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi është shprehur se të qeshurat e deputetëve dhe kryetarit Lulzim Basha gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka qenë për shkak të batutave dhe jo nga fjalimi i mbajtur.
I ftuar në emisionin “Frontline” në News 24, Korreshi u shpreh se pas fjalimit ai ka folur me Bashën dhe kolegët e tjerë të cilët i kanë thënë se ajo e qeshur ishte e dalë nga shpirti.
“As nuk e kam dash me dit se çfarë kanë qeshur ata. Unë fjalimet e mia nuk i ridëgjoj. Në fillim mu duk se filloi të trajtohej si çështja e “Kërpëratës”, por pas ndryshoi kur filloi të përthithej mesazhi. Ata qeshën me batutat dhe jo me fjalimin. Unë kam folur disa herë edhe më kryetarin. Të gjithë kolegët folën dhe më thanë që ka qenë e qeshur nga shpirti. Edhe në komisione sa herë i shikoj më thotë të lutëm se mos na bën ndonjë batutë se jemi para kamerës. Edhe njerëzit e kanë perceptuar këtë gjë. Ata ka pritur mesazhin e lushnjarëve dhe nuk e kishin gjetur tek asnjë deputet”, tha ai.
Ai gjithashtu ka folur edhe për problematikat që ngriti në Kuvend për Spitalin e Lushnjes, duke thënë se në spital ka vërtet minjë. Korreshi shtoi se për këtë problematikë i ka bërë thirrje edhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliut që ta vizitojë spitalin dhe ta shohë vetë gjendjen. Më tej, deputeti tha se të treja ambulancat që kanë ngelur në Spitalin e Lushnjes janë në gjendje të keqe.
“Kafshët, minjtë janë realisht në spitalin e Lushnjës. I kam bërë ftesë ministres të vijë të vizitojë spitalin e Lushnjës. Të shtruarit në Lushnje shtrohen ditën dhe në darkë ikin në shtëpi. Doktorët ankohen se gjatë operacioneve nuk ka kushte, kondicionerë. Sot po të verifikosh ambulancat e Lushnjës njëra ka djegur motorin dhe akoma nuk është rregulluar 2 të tjera janë për skrap dhe 3 që kanë ngelur janë hapa dollapa mjerë ai që shtrohet mbrapa. Spitali i Lushnjës është katastrofë. Sot tek pediatria nuk ka drita. Kjo nuk është normale”, tha ai.