Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e së hënës rastin e një qytetari në Lushnje, i cili prej 3 vitesh ka lënë makinën ‘Seat Toledo’ në servis pas një aksidenti dhe nuk po e merr dot akoma që prej vitit 2018.
Shkak, sipas tij, është bërë administratori i servisit, pasi i ka shitur pjesët e automjetit. Olsi Sulonjaku thotë se ka qenë në Greqi prej 3 vitesh dhe nuk kthehej dot për shkak të pandemisë dhe dokumenteve, por çështjen e makinës në Lushnje e ndiqte bashkëshortja e tij e cila jetonte aty.
Gjatë takimeve me administratorin e servisit, ky i fundit e zvarriste çështjen.
Olsi Sulonjaku: Kam pasur një aksident me makinë, kam dalë nga rruga, kam rënë. Në 28 Gusht 2018, ia kam çuar servisti makinën, tip Seat Toledo i 2002. Zotëria ka nga Gushti 2018 e deri më sot s’ma ka mbaruar makinën dhe ka shitur pjesë nga makina. Bëhet fjalë për servisin Andi, ndodhet në Saver. Këtu ndodhi aksidenti, nuk pata mundësi ta çoja në ndonjë servis të Tiranës a në ndonjë servis tjetër. Sa herë që vija, për makinën i jepja nga 100 Euro, nga 50 Euro, sa më gjendeshin në xhep. Për 10 ditë do ta mbaronte makinën nga momenti që do ta merrte në dorë. Dyer, parafango m’i kërkoi, vajta i bleva, pasqyrat, xhamin, vajta ia bleva. I ka montuar. Tani më ka humbur pasqyrat, më ka shitur katalitin, më kanë humbur edhe shumë pjesë të tjera të makinës. Kam qenë në emigrim, kam qenë në Greqi 3 vjet. Nuk mundeshim për shkak të pandemisë, jo puna, jo dokumentacioni dhe nuk mundesha të vija në Shqipëri. Bashkëshortja ime e ka ndjekur çështjen. E mori vesh që unë u ktheva nga Greqia, ma leu makinën, thjesht ma ka lyer dhe ma ka lënë pa kompletuar makinën.
Bashkëshortja e Olsit, tregon për gazetarin e Stop se çështjen e ka çuar në polici por asgjë nuk ndodhi dhe problemi nuk u zgjidh.
Yze Sulonjaku: Jam interesuar unë këtu e 3 vite. Jam interesuar dhe në Komisariatin e Lushnjes. Nuk e kam marrë rrugëzgjidhjen që unë doja. Brenda afatit që u la nga Komisariati i Lushnjes që zotëria ta mbaronte makinën nuk ma ka mbaruar. Kaluan kohë më mbrapa, pas datës 28 Maj e deri tani kam vajtur lart e poshtë nëpër komisariate edhe atje nuk kam gjetur rrugëzgjidhje.
Andi, administratori i servisit, ka mbajtur kontakte me bashkëshortët dhe u ka premtuar se shërbimi do të mbaronte. Denoncuesit thonë, se ai i ka shitur pa leje pjesë të mjetit, dhe u ka dhënë të përdorin përkohësisht një automjet tjetër.
Administratori i servisit: Është hequr një pjesë. Ka kërkuar ajo, që ta heq dhe ka marrë lekët.
Denoncuesja: Të kam kërkuar unë ty, të shesësh kataliktin?
Administratori i servisit: Më ke thënë: “shite”!
Denoncuesja: Ti e shite pa dijeninë time.
Gazetari: Është në rregull?
Administratori i servisit: Do iki ta saldoj, t’i vë tubin, ku ka qenë katalikti dhe makina ka mbaruar.Kaq! Unë nuk kam punë më me makinën.
Gazetari: Po pse nuk po i dorëzohet?
Administratori i servisit: Të vijë ta marrë!
Gazetari: Është gati?
Denoncuesja: Po ku është gati? Nuk e sheh, se cfarë po thotë ai?
Administratori i servisit: Nuk do vë unë kataliktin, që more ti lekët.
Denoncuesja: Pasqyrat!
Administratori i servisit: Pasqyrat! Shumë bukur! I ka gjetur Olsi, do t’i jap unë ato lekët e pasqyrave.
Denoncuesja: Makinën! Ma ke bërë zhgallë-zhgallë.Bojërat e të tjerave ia ke hedhur makinës sime.Të kam thënë, që makina do vejë në kontroll teknik për pjesët, që i ke shitur. Pa letra, nuk ka shance!
Administratori i servisit: Nuk do i paguaj unë letrat e makinës.
Gazetari: Po pse zgjati kaq?
Administratori i servisit: Po zgjati, se unë ika ca kohë.
Administratori i servisit: Merreni makinën e nxirreni jashtë! Për mua është e mbaruar.
Denoncuesja: Si? Për mua jo! Zgjidhja ime dhe jotja, turp i Zotit! Me mirëkuptim, ke vetë fëmijë, mbaro makinën, mbaro ato letrat, që më hyre në qafë dhe e mbyllim historinë bashkë!
Denoncuesi: Pasqyrat ku janë? Boja pse është kështu?
Gazetari: Kjo është makina?
Denoncuesja: Shikoje, se në çfarë gjendje!
Të ndodhura në kushte të tilla, denoncuesit bëjnë kallzim në polici dhe prokurori, por administratori i automjetit i kërcënon se do t’ua nxjerrë makinën në rrugë. /tvklan.al