Kryetari i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë tha se propozimet e sigurisë që ka prezantuar Moska, që kanë për qëllim të shtensionojnë situatën pas grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit ukrainas, janë sinjal i qartë se Rusia po “tenton të krijojë pretekst për luftë”.
Senatori amerikan, Jim Risch (republikan nga Idaho) tha më 18 dhjetor se propozimet e Rusisë nuk janë marrëveshje për siguri, por listë e koncesioneve që Shtetet e Bashkuara dhe NATO duhet të bëjnë për të kënaqur presidentin rus, Vladimir Putin.
Propozimet, që u prezantuan më 17 dhjetor nga Ministria e Jashtme ruse, kërkojnë që Aleanca Veri-Atlantike (NATO) të ndalojë zgjerimin nga lindja dhe Moska kërkon kufizime mbi aktivitetin ushtarak të Aleancës në Evropën Lindore, përfshirë edhe kufizime në bashkëpunimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
“Federata Ruse i bëri këto kërkesa duke e ditur mirë se ato janë plotësisht të papranueshme”, tha Risch.
“Putini e di që Shtetet e Bashkuara dhe 29 aleatët tanë në NATO nuk do të negociojnë të ardhmen e kombeve sovrane si Ukraina, e cila duhet të jetë në gjendje të bëjë zgjedhjet e saj”, shtoi ai.
Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Kievit janë të larta që prej vitit 2014 kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen ushtarake, politike dhe ekonomike për separatistët që po luftojnë në lindje të Ukrainës.