Leroi Sane ishte një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së Bajernit në fazën e parë të sezonit 2021-2022. Anësori i majtë ishte deciziv me golat dhe asistet e tij duke i dhënë një dorë skuadrës për t’u arratisur me 9 pikë nga vendi i dytë në kampionat, ashtu si dhe për të siguruar me pikë të plota kalimin e grupit në Champions.
Për “Bild am Sonntag”, 25- vjeçari tregoi sekretin e formës së tij dhe njerëzit që i qëndruan pranë në startin e sezonit që ishte jo i mirë. Në fillim ai u vërshëllye nga tifozët e tij, më pas arriti të bindë këdo falë gjërave që tregoi në fushën e lojës. Mediat gjermane e cilësojnë një raketë “70 milionë euroshe”.
Është ky Leroi i vërtetë?
Nuk e di, këtë duhet të ma thoni ju (qesh). E sigurt është që nuk është ai i ndeshjeve të para. Starti nuk ishte ai ideali, por ia arrita të dal nga ai tunel i errët dhe tani kam gjetur sërish dëshirën për të luajtur.
Kush ju ndihmoi?
Të gjithë pa përjashtim, familja, shokët e skuadrës dhe tifozët. Trajneri Julian Nagelsman gjithashtu, Kahn dhe Brazo flisnin çdo ditë me mua. Aty ndjeva një afeksion të madh, kuptimin e fjalës familje në një skuadër futbolli. Ishte një ndjesi e bukur. Më pas gjërat nisën të shkonin në favorin tim, sigurisht që fati u kthye në anën time. Janë shumë komponentë që duhet të jenë në sinkron në mënyrë që gjërat të shkojnë aty ku do ti.
Besuat te vetja?
Nuk isha i kënaqur me mënyrën se si luaja, gjithmonë flisja me veten për këtë gjë, dhe kërkoja më shumë, e dija që mund të bëja më shumë. Në muajt e parë kur shkova te Mançesteri vuajta shumë, më pas nisa të gjej rrugën e duhur. Fillimet janë gjithmonë të vështira.
Kush mendoni që mund të jetë rivali juaj për titull deri në fund të sezonit?
Me atë çfarë kam parë deri tani mendoj që vetëm Dortmundi mund të na konkurrojë. Verdhezinjtë luajnë një futboll të bukur dhe kanë lojtarë shumë cilësorë. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund, për këtë jam i sigurt.
Çfarë prisni në 2022-shin?
Në radhë të parë shpresoj që të gjithë të jemi mirë me shëndet, në këtë kohë kjo është gjithçka që ka rëndësi. Nga ana sportive dua që të vazhdojmë të tregojmë formën e javëve të fundit. Është e rëndësishme të mos lejojmë kundërshtarët të afrohen në renditje. Më pas të mendojmë për ndeshjen e Championsit ndaj Salcbugrut që do të jetë shumë vendimtare për të ardhmen.