Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar sot qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të heqë TVSH-në dhe taksën e qarkullimit nga nafta si dhe një bonus për të gjitha familjet në nevojë shtesë që të përballojnë krizën energjetike.
Berisha deklaroi se nëse hiqen këto taksa, çmimi zbret në nivelet e vendeve përreth, teksa paralajmëroi protesta.
“Jam këtu për të denoncuar qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës javët e fundit me rritjen galoponte të çmimit të energjisë dhe produkteve ushqimore. Nuk mund të mohohet që Europa është në luftë dhe hijet e saj përhapen në mbarë kontinentin, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, por në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë barbare ruse që po kryejnë çdo orë, çdo ditë, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta jo vetëm në Ukrainë tashmë, por në mbarë Europën, janë spekulantë dhe spekulatorë që janë si shushunja që duan të pasurohen nga lufta. Në këtë kontekst është në detyrën parësore të qeverive të vendeve europiane të luftojnë me vendosmëri spekulimin dhe spekulantët. Kohë më parë se të fillonte kjo luftë, të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë ndërmarrë një seri masash me të cilat kanë pasur si qëllim kryesor mbrojtjen e qyt nga spekulimi. Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë, sa i përket naftës dhe gazit, ndonëse është një vend prodhues i naftës, prodhues në sasi jo të mëdha të gazit, megjithatë shqiptarët paguajnë sot naftën rreth 2 euro në treg. Çmim ky i cili është më i larti i regjistruar gjer sot në Europë, pavarësisht se rrogat e tyre janë të paktën 10 herë më të ulëta se në Zvicër, Gjermani apo Austri”, tha Berisha.
Sipas tij, ky çmim stratosferik i naftës sot që në bursë është 125 dollarë fuçia për naftën bruto, nuk ka ekzistuar në 2008 kur fuçia në bursë luhatej nga 150-200 dollarë.
“Çmimi tërësisht i papërballueshëm është rezultat i një seri taksash të vendosura me arbitraritet dhe në kunderlogjikë fiskale, mbi energjinë, naftën dhe gazin. Sot qeveria ka vendosur përveç TVSH-së, akcizës, vendosi dhe taksën e qarkullimit e cila ekzistonte në 70 lekë dhe u rrit në 270 lekë. Krahas tyre janë vendosur tarifa absurde, madje dhe dyfishuar, si tarifa e kontrollit, e pompës, për të mos thënë pastaj 400 lekë TVSH-ja për litër. E rëndë është fatura e energjisë elektrike që paguajnë sot qytetarët dhe bizneset. Në këto kushte PD-ja kërkon me urgjencë heqjen e plotë të TVSH-së nga nafta, heqjen e plotë të TVSH-së të energjisë elektrike. Së dyti, kërkon rimbursim, apo kërkon një bonus për të gjitha familjet në nevojë shtesë që të përballojnë krizën energjetike. Së treti kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekësh dhe me këto lëvizje çmimet e naftës duhet të zbresin në nivelet e vendeve përreth. Por meqenëse Edi Rama i pëlqen ta shfrytëzojë situatën e luftës para se t’u thotë shqiptarëve siç bënte me COVID-in se do shihni kodra me kufoma, duhet të marrë këto masa që rëndojnë mbi qytetarët”, tha ai.
Berisha theksoi se nëse spekulimi vazhdon, qeveria duhet të ndërhyjë në tregun e karburanteve. “Sikundër në rast se spekulimi vijon, ndërhyrja në tregun e karburanteve mbetet si masa e fundit që nuk mund të përjashtohet për shkak të luftës. E konsideroj të papërgjegjshëm qëndrimin e Edi Ramës dhe qeverisë ndaj kësaj krize. Ai siç keni konstatuar në mënyrën më të paimagjinueshme po bën zëdhënësin e kompanive të naftës. Ai është lajmëtari i parë i rritjes së çmimeve dhe pastaj spekulantët vazhdojnë të vendosin tabelat siç duan. Dje ai njoftoi për rritjen e çmimeve dhe pompat i kaluan me shpejtësi në 260. Dënoj këtë akt të tillë dhe kjo është unike në botë. Kreu i qeverisë nuk bën zëdhënësin e kompanive të naftës në rast se ai nuk ka aksione të tijat në këto kompani. Dhe njëherë bëj thirrje të merren masa urgjente për mbrojtjen e popullatës, përndryshe opozita shqiptare do jetë në rrugë”, u shpreh Berisha.