Muajt e fundit, fabrika e prodhimit të këpucëve “Prodyn” po përballet me një kërkesë të pazakontë nga klientët europianë, e cila nuk po përballohet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Eva Laro, aksiorere dhe administratore e saj, tha se kërkesa për këpucë e ka kaluar nivelin e vitit normal 2019, por fuqia punëtore në dispozicion është më e ulët se ajo e vitit 2019.
Problematika është e njëjtë në disa industri të prodhimit në vend, të cilat aktualisht kanë mundësi të zgjerohen, duke përfituar nga kërkesa pas pandemisë, por mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në pengesë. Si fabrika “Prodyn” është duke vuajtur i gjithë sektori fason, industria ushqimore, sektori i ndërtimit, transporti etj.
Tregu i punës u zhbalancua nga pandemia Covid-19, kur në disa sektorë si turizmi dhe tregtia pati rritje të pazakontë të papunësisë, si pasojë edhe e vështirësive që bizneset e këtyre aktiviteteve patën nga pandemia. Sektorë të tjerë si aktivitetet teknologjike patën rritje të fortë të ofertës për punë, si pasojë e të punuarit në distancë.
Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet për një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.
Vështirësitë e furnizimit të vendeve europiane nga Azia po rrisin kërkesën për të prodhuar në Europë e specifikisht në Ballkan dhe në Shqipëri, por vendet nuk po arrijnë të përfitojnë nga kjo mundësi për shkak të normave të larta të emigrimit të fuqisë punëtore.
Kompani europiane, që para pandemisë prodhonin në Vietnam, po i kthejnë fabrikat në Europë, tha zonja Laro, së cilës i është dashur të refuzojë porosi që në një kohë tjetër as nuk mund të imagjinohej.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, i cili operon në industrinë ushqimore, nëpërmjet fabrikës INCA, tha se mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem serioz për industrinë e prodhimit. Punonjësit, të cilët specializohen në cikle të veçanta pune dhe përdorimit të pajisjeve, e përdorin këtë përvojë për të emigruar në vende të tjera të Europës, të cilat po liberalizojnë lëvizjen e kapitalit human.
Të njëjtin shqetësim kanë thuajse të gjitha njësitë e prodhimit, por edhe ato të shërbimeve. Shqipërisë kanë nisur t’i mungojnë profesionet elementare si shoferë, zanatçinj, madje edhe punëtorë krahu. A. Metaliaj, i cili operon në sektorin e ndërtimit, pohoi se pas pandemisë ka një mungesë të theksuar për punonjës. “Kam nevojë që nga punonjësi i betonierës deri tek teknikët, shoferët” – thotë ai.
Sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, i nxitur edhe nga rindërtimi pas tërmetit dhe lejet e shumta për banesa në Tiranë. Hajredin Fratari, i cili operon në këtë sektor prej tre dekadash, shprehet se, ka mungesa në të gjitha drejtimet e punës në ndërtim, por sidomos për punonjës të thjeshtë. Mosha mesatare e punonjësve është mbi 50 vjeç dhe përfaqësohet nga të ardhurit në Tiranë pas viteve 1990. Të rinjtë nuk preferojnë të specializohen në profesione elementare, pasi në vend të kësaj, zgjedhin të emigrojnë.
Mungesa e punonjësve po e pengon Shqipërinë të përfitojë nga ndryshimet post-pandemike të zinxhirëve të furnizimit e për rrjedhojë, të kalojë në një hallkë më të lartë të vlerës së shtuar.
Këto zhvillime po shfaqin dy anë pozitive. Bizneset po nxiten të investojnë në teknologji dhe po detyrohen të rrisin pagat për punonjësit pas gati një dekadë vendnumëro dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje kapitalit human.
Dinamikat e reja të punësimit
Në fund të tremujorit të dytë, INSTAT raportoi nëpërmjet Anketës së Forcës së Punës se ishin të punësuar rreth 32 mijë punonjës më pak se në tremujorin e vitit 2019. Të dhëna nga anketa tregojnë se hendeku në punësim është i lidhur me rënien e tij në sektorin bujqësor, teksa punësimi i lidhur me bizneset jobujqësore është rritur. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,8% në sektorin e industrisë dhe me 3,1% në sektorin e shërbimeve, por u ul me 6,6% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Ndërsa punësimi u rrit me 2,4% në sektorin e industrisë, me 1,1% në sektorin e shërbimeve, dhe 0,2% në sektorin e bujqësisë. Bizneset lajmërojnë se dinamika e punësimit është rritur ndjeshëm edhe në tremujorin e tretë të vitit, si rrjedhojë e rritjes së kapaciteteve të prodhimit.
Sipas treguesve zyrtarë të punësimit, pandemia Covid-19 ka ndikuar kryesisht rezultatet e punësimit tek të rinjtë. Në tremujorin e dytë 2021, në të dhënat zyrtare raportohet se 18,300 të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç janë më pak të punësuar. Nga të rinjtë që dolën të papunë, 10 mijë janë kategorizuar si të “dekurajuar” dhe pjesa tjetër, prej më shumë se 8 mijë personash, janë në kërkim të një pune.
Por studimet nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare kanë vërejtur se shpesh statistikat zyrtare të punësimit në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor pasqyrojnë ndikimet e emigracionit. Rënia e papunësisë në këto vende vjen kryesisht për shkak të tkurrjes së popullsisë nga emigracioni dhe vendet e lira të punës po plotësohen me shpejtësi nga ata që mbeten.
Rikthehen valët e emigrimit, Europa rrit kërkesën për punonjës
Pandemia Covid-19, e cila nisi si një krizë shëndetësore dhe më pas si një krizë ekonomike, po ringjall trendet e reja të emigracionit. Tendenca po ndihmohet nga rritja e kërkesës për punë nga vendet e zhvilluara si Britani e Madhe dhe Gjermani.
Përfaqësuesit e “Delmon Grup”, një kompani që prodhon pjesë këmbimi për makinat në Shqipëri, pohojnë se disa punonjës që ishin të kualifikuar tashmë ikën në Gjermani. Ata thanë se, në verën e këtij viti, Gjermania i liberalizoi kushtet e emigrimit për punonjësit dhe kjo ka nisur të ndihet edhe në tregun shqiptar.
Vangjel Rula, i cili prodhon me kompaninë “Europa” makineri dhe pajisje për fabrikat tha se, veç të tjerash kompania e tij është si një shkollë për punonjësit. Duke qenë se ciklet e prodhimit janë unike në ofiçinën e tij, z. Rula shprehet se, ka profesorë që përgatitin punonjësit. Por me të fituar zanatin, ata zgjedhin të largohen pasi profesione të tilla janë mjaft të kërkuara në botën e zhvilluar.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës janar-korrik 2021 kërkuan azil rreth 5,300 persona, ndërsa në të gjithë vitin 2020 kërkuan azil 9450 persona. Sipas të dhënave nga EASO, zyra europiane e azilantëve, aplikimet për azil në muajin gusht arritën në mbi 1400, me një rritje prej 46% në krahasim me korrikun dhe më shumë se dyfishi në raport me muajin qershor.
Në gusht, aplikimet ishin më të larta dhe se muajt e fundit përpara se të fillonte pandemia, dhjetor 2019 dhe janar e shkurt 2020.
Eurostat numëron vetëm numrin e personave që kërkojnë azil, por mijëra shqiptarë të tjerë po ikin në emigracion me kontrata pune.
Sipas të dhënave të Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.
Krahas Italisë e Greqisë, që kanë pritur më shumë shqiptarë për vetë afërsive gjeografike dhe dinamikën e emigracionit, që nga viti 2013, Gjermania ka rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna, pasi ky shtet është bërë i preferuar për punonjësit shqiptarë sidomos mjekë e infermierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Ekonomia më e madhe e Europës ka dhënë gjithsej 48 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2020.
Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT tregojnë se emigracioni i lartë i të rinjve, i kombinuar me rënien e lindjeve dhe plakjen graduale të popullsisë po ul popullsinë e re aktive në vend. Popullsia në grupmoshën 15-29 vjeç shënoi tkurrje me rreth 18 mijë persona në 2020-n. Në këtë interval moshe, pakësimi më i madh ishte për të rinjtë 15-19 vjeç me mbi 8 mijë persona.
Teksa forca e punës në grupmoshat e reja po tkurret me shpejtësi, bizneset në të gjithë vendin po ndiejnë vështirësitë që po krijon mungesa e punonjësve. Njësitë e shërbimeve, hotele dhe restorante në vend, veçanërisht në zonat turistike, sektori fason dhe call center po ndiejnë mangësitë.
Kriza e pandemisë, e cila erdhi edhe si një krizë ekonomike pritet të ketë ndikim negativ në treguesit demografikë, sidomos në drejtim të emigracionit.
Ilir Gëdeshi, ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, tha se krizat ekonomike në Shqipëri janë pasuar nga valë emigracioni. Krizat e vitit 1990, 1997, 2008 e kanë vërtetuar këtë fakt. Edhe kriza e pandemisë, sipas zotit Gëdeshi, rrezikon të përshkallëzojë emigracionin në vend.
Fenomeni do të përkeqësohet, pasi do të tentojnë të ikë pjesa që kishte planifikuar dhe nuk emigroi gjatë pandemisë. Përkeqësimi i kushteve të ekonomisë mund të nxisë të tjerë emigrantë që para pandemisë nuk kishin planifikuar të largoheshin, tha zoti Gëdeshi. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kriza e pandemisë ka kthyer tendencat e vjetra të emigracionit.
Në planin afatshkurtër, pandemia mbylli kufijtë dhe kufizoi udhëtimet, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të emigrimit. Sidoqoftë, goditjet që pandemia ka dhënë në ekonominë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim lajmërojnë valë të reja emigracioni. Ekspertët ndërkombëtarë lajmërojnë se vala e emigrimit ndodh dy ose tre vjet pas krizave që tronditin jetën e njerëzve.
Mungesa e punonjësve po nxit inovacionin
Për të përfituar nga rritja e kërkesës për këpucë nga tregjet europiane, zonja Laro nga fabrika “Prodyn” shprehet se po fokusohet në dy drejtime kryesore. Së pari, rritja e investimeve në teknologji dhe së dyti, ngritja e një qendre trajnimi brenda fabrikës, e cila synon të rrisë produktivitetin për punonjës dhe reduktimin e humbjeve në ciklin e prodhimit.
Laro është duke eksploruar një nivel më të lartë të automatizimit, ku puna nga njeriu të zëvendësohet me makineritë. Por me gjithë përpjekjet “sot, fabrikës ‘Prodyn’ i duhen së paku edhe 150 punonjës”. Mungesa e fuqisë punëtore po i çon bizneset shqiptare drejt investimeve në teknologji dhe burime njerëzore më shumë se sa kishin menduar. Tani kur krahu i lirë i punës po shkon drejt tkurrjes së shpejtë, fabrikat duhet të rrisin produktivitetin nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë, mbylljes së ciklit të prodhimit dhe përpunimit të lëndës së parë në vend.
Alban Zusi pohon se ka ardhur koha për të rritur fitimet me pak krah pune. Sipas tij, sektori i bujqësisë duhet të ndalë eksportin e prodhimeve nga fusha. Më shumë se në zinxhirin e tregut, duhen politika që të nxisin përpunimin në sektor. Për shembull, Turqia e ndalon eksportin e produkteve bujqësore nga fusha deri sa të jenë plotësuar kërkesat e fabrikave të përpunimit në vend. Duke i shitur prodhimet bujqësore të përpunuara, vlera e tyre do të jetë më e lartë.
Shqipëria, edhe sot, eksporton pothuajse të gjitha produktet bujqësore të përpunuara. Në supermarketet shqiptare ka me shumicë turshi nga Maqedonia dhe salcë domatesh nga Italia. Një lakër turshi e paketuar në kavanoz ka vlerë tre herë më të lartë se një lakër e gjallë. Llogaritë janë të njëjta edhe për prodhimet e tjera bujqësore. Edhe pse sektori i përpunimit ka marzh të ulët fitimi, investimi në teknologji dhe i subvencionuar nga shteti mund të shumëfishojë vlerën e produkteve.
Nënçmimi sistematik i euros vitet e fundit ka konsumuar marzhin e fitimit të kompanive eksportuese, duke lënë pezull projektet e tyre për mbylljen e ciklit dhe rritjen e fitimeve, teksa pandemia COVID-19 ka rrënuar shumë prej tyre, duke sjellë edhe falimente.
Nënçmimi i euros, i kombinuar me stoqe të larta, sidomos për industrinë e këpucëve, i çoi në kolaps planet e industrisë për të kaluar në një shkallë më të lartë të vlerës së produktit para vitit 2020. Pandemia COVID-19 rrënoi një pjesë të industrisë, për shkak të rënies drastike (deri në 70%) të porosive nga jashtë. Por tani, me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e çmimeve dhe kërkesës nga jashtë, kompanitë shqiptare po shikojnë si zgjidhje investimet në teknologji për të kompensuar humbjet në fuqinë punëtore.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KRB), në një dokument që analizoi sektorët strategjikë që sigurojnë zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, identifikoi në Shqipëri Sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (Zhvillimi i softuerit dhe tregtia elektronike) të parin nga 13 sektorë që mund të çojnë përpara prosperitetin e vendit.
KRB vuri në dukje se numri i startup-eve që operojnë në Shqipëri raportohet 257, por vlerësimet arrijnë mbi 550 sipërmarrje potenciale. 18% janë në zhvillimin e IT/softuerit, 14% në arsim dhe 10% në tregtinë elektronike. Qendra më e madhe e startup-eve shqiptare është Tirana. Referuar Indeksit Global të Sipërmarrjes për vitin 2018, Shqipëria ishte e 83-ta nga 137 vende të analizuara.
Raporti Global i Startup 2020 e rendit Shqipërinë në vendin e 72-të, në përmirësim me 13 vende krahasuar me një vit më parë, duke vlerësuar se Shqipëria është një nga ekonomitë me rritjen më të mirë në renditjen e ndërmarrjeve të reja për vitin 2019.
Rritet presioni për paga më të larta
Hajredin Fratari, i cili operon në sektorin e ndërtimit, thotë se, mungesa e punonjësve po rrit presionet për rritjen e pagave. Ai tha se, edhe punonjës të thjeshtë kërkojnë paga deri në 1000 euro në muaj. Pagat në sektorin e ndërtimit edhe më herët ishin mbi mesataren e pagave në vend, por tani presioni është më i lartë. Punonjësit e ndërtimit tërhiqen nga emigrimi.
Për shkak të vështirësisë, vendet e zhvilluara i mbulojnë nevojat në këtë sektor me emigrantë. “Mjeshtrit” shqiptarë emigrojnë me kontrata të rregullta pune dhe i kanë vënë kompanitë shqiptare para zgjedhjes. Ose të rrisin pagat, ose të emigrojnë.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se paga mesatare bruto u rrit në tremujorin e dytë të vitit 2021 me 7.7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rritja më e madhe e pagave ishte në sektorin e industrisë, me rreth 10%, tregti dhe shërbime me mbi 10.6%. Gjithsej, pagat bruto në tremujorin e dytë u rritën me 7.7%, përveçse në sektorin e bujqësisë, i cili raportoi rënie me 8.7%. Shifrat zyrtare të pagave nuk pasqyrojnë zhvillimet reale, për shkak të informalitetit të lartë.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) përllogarit se Shqipëria ka punësimin në të zezë gati dyfish më të lartë se mesatarja europiane dhe një nga nivelet më të larta në rang europian.
Sipas të dhënave që i takojnë vitit 2019, ILO përllogarit se punësimi informal në Shqipëri është 56.7% e totalit të të punësuarve.
Pas Shqipërisë, normën më të lartë të informalitetit në punësim e ka Bosnjë-Hercegovina me 30% të totalit të punësimit. Në vende të tjera të Europës, që nuk janë anëtarë të BE-së, ky tregues është shumë herë më i ulët. Në Maqedoninë e Veriut, punësimi informal ishte vetëm 13.8% e totalit në vitin 2019, ndërsa në Serbi, 18.7%. Edhe në Moldavi, që për disa tregues të tjerë ekonomikë renditet më keq se Shqipëria, punësimi informal shënon 25% të totalit.
Informaliteti në Shqipëri mbetet shqetësues edhe për biznese dhe persona që veprojnë brenda kontureve të ligjit dhe shfrytëzojnë dobësitë e tij, duke krijuar evazion fiskal. Rastet tipike përfshijnë punën e padeklaruar, ku njësitë ekonomike me dashje shmangin taksimin e punës, duke dhënë paga cash që në Shqipëri njihet gjerësisht si “paga e zarfit”.
Rritja e pagave ishte anemike në dekadën e fundit, në fakt që pas krizës së vitit 2008. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin privat arriti në 47 mijë e 532 lekë në fund të vitit 2019, me rritje 13.2%. Por duket se rritja në vlerë, në realitet është konsumuar nga inflacioni. Në të njëjtën periudhë, niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit me 12.1%, duke bërë që paga reale mesatare në sektorin privat të rritej me vetëm në 1%.
Në periudhën 2014-2020, paga minimale në sektorin privat u rrit me 18% në vlerë, por duke shuar efektet e inflacionit, rritja reale e pagës minimale ishte vetëm 6%. Gjatë këtij viti, qeveria vendosi të rrisë me 4 mijë lekë pagën minimale, duke e çuar atë në nivelin e 30 mijë lekëve, ose 15%. Kjo është rritja më e madhe në përqindje që nga viti 2008, kur qeveria e asaj kohe aplikoi rritje me 21%.
Në të njëjtën periudhë, paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit me 19.5% në vlerë, duke hequr ndikimin e inflacionit, paga reale në sektorin shtetëror u rrit me 7.4%./ Revista Monitor