Kryeministri Edi Rama deklaroi nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara për çeljen e negociatave dhe këto përpjekje sipas tij janë vlerësuar nga Komisioni Evropian.
Gjatë konferencës së përbashkët me Ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në BE, por është e gatshme për hapjen e negociatave për të vijuar më tej përpjekjet për t’u përmirësuar në shumë aspekte.
“Komisioni rikonfirmon bindjen e vet se Shqipëria e ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur dhe formalisht atë që është vendosur më parë në këshillin Evropian dhe për të ndërmarrë së bashku me BE-në, diskutimin e anëtarësimit. Po ashtu, dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimësisht në të gjitha instancat dhe në forumet e nivelit të lartë të pjesëmarrjes së vendit tonë dhe në takimet e mia bilaterale me liderat e BE. Ne gjejmë te KE, një partner të drejtë, të paanshëm, një partner rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren dhe për këtë arsye nuk ka dhe nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit dhe drejtësia e gjykimit delegacionin e KE dhe të BE këtu në vendin tonë.
Bëhet fjalë për një skuadër të madhe për të monitoruar gjithçka ndodh. Kur dëgjoj pranë afateve dhe ditëve se në një vend dhe në një vend tjetër ngrihen pretendime, këto janë politikë, s’janë gjykime teknike. Ndërkohë që të gjitha të tjerat janë interferenca në proces me natyrë politike të kuptueshme. Nuk ka krahasim fare se çfarë përfaqëson komisioni në pikëpamjen e objektivitetit. Dua të them se së pari raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i pa diskutueshëm në pikëpamjen e integritet dhe përputhjen me standardet dhe rekomandimet e BE. Shqipëria ka nisur të përparojë në reformat kyçe, që janë në thelb reforma të shtetrrethimit dhe konsolidimit të demokracisë, si Reforma në Drejtësi, ku procesi i vetingut referohet si sukses, ku lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit regjistrohet si një luftë që përparon. Progresi në funksion të një ekonomie funksionale tregu përtej të gjitha pengesave dhe goditjeve nga pandemia referohet si një përpjekje që përparon.”, tha kryeministri Rama.