Kryeministri Edi Rama është shprehur hapur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas mbledhjes së përbashkët Shqipëri-Kosovës se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum paqësor për bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Gazetari: Në një sondazh 80% e shqiptarëve janë pro bashkimit kombëtar. Zoti Kurti në një intervistë keni deklaruar se në një referendum paqësor do të votonit pro bashkimit kombëtar. Cila do ishte vota juaj në një sondazh apo në një referendum të tillë? A mendoni që mund të organizohet ndonjëherë një i tillë?
Edi Rama: Kjo është pyetje apo provokacija se nuk e kuptoj. Tani në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do të votoja hapur pro. Që të jemi të qartë. Nëse më pyesni a do të ndodhë kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, do ju provokoj dhe unë. Unë them që kjo do të ndodhë. Unë nuk di kur do të ndodhë, nuk di si do të ndodhë. Që kjo do të ndodhë një ditë, unë them që po. Tani atyre që mund ta marrin këtë dhe do dalin e të bërtasin për Shqipërinë e Madhe ju them që fallxhorët nuk gjykohen se është një fall meqë ju po më pyesni të hedhim fall. Meqë ju po më pyesni të hedhim fall dhe në këtë rast po e hedh me imagjinatë se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do të ndodhë. Se kur do ndodhë, se si do ndodhë unë nuk e di.
Pyetje: Pa fall a mund të ndodhë?
Edi Rama: Unë fallin e futa në mes për përkthyesit dhe ata që do të bëjnë deklarata pas kësaj që u takuan në Elbasan, do digjet Ballkani, do digjet bota se po na sulmojnë shqiptarët, për këta e kisha. Kështu që më ndihmoni dhe ju që të thoni që foli zëri i fallxhorit, jo zëri i politikanit dhe zëri i kryeministrit të përgjegjshëm. Meqë më provokoi Klani i Kosovës, Klani i Shqipërisë provokoi Albinin, unë iu përgjigja provokimit me provokim.
Pyetje: A mendoni që do të ndodhë ky referendum ndonjëherë?
Edi Rama: Nuk pyeten dy fallxhorë menjëherë tani. T’i rri te një filxhan. Leje tani, nuk kërkohet mendim alternativ për të njëjtin filxhan. Megjithatë Albin nëse do ta bësh edhe t’i një parashikim, bëje, nuk ka problem.
Albin Kurti: Mua më duke që ka më shumë një moskuptim ses akeqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve, ai nuk është gjësend që zgjedhim apo përzgjedhim, por intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Nuk mund të vendosim ne mbi procese të tilla historike, të përcaktojmë data e mënyra.
Edi Rama: (I drejtohet gazetarit) Kuptove?