Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një komunikimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama u shpreh se mbështetja ndaj drejtësisë do të vazhdojë njësoj dhe do të jetë i palëkundur.
Rama shtoi se heshtja e mazhorancës për arrestimin e Veliajt u keqkuptua.
“Ajo që ishte vërtet interesante ishte se si u ekzaltuan nga arrestimi i Erionit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe si u turrëm për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i partisë së bufit të kënetës dhe mangallët e “partiçkave” që ua kam thënë të re kanë vetëm moshën e pronarëve të tyre, asgjë tjetër nuk kanë. U përndezën nga era e mishit me gjak dhe kanë vënë shishet këtu poshtë si dikur në radhën e qumështit, që të vijnë e të kërkojnë dorëheqjen time sonte njëri, nesër tjetri se u bë deti kos tani dhe o burra të hidhemi tek kryeministria.
Nejse, këto janë punët e tyre që nuk kanë lidhje me punën time, nuk kanë lidhje me punën tonë. Natyrisht që marrja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, jo një here, por tre herë, por po marrim aktualisht, – është një ngjarje tejet e madhe, të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjecare “Nuk kam koment, nuk kam koment” dhe lajmi që kam për ju sot është se unë nuk do të mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do të bëjë punën e saj, siç e ka bërë deri më tani.
Sot, opinioni im është ky. Drejtësia e re ka hyrë tanimë në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj, e pa lëkundur, por ama nuk ka më pse dhe të mos i shprehim opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur si drejtësi, jo thjesht e pavarur të hetojë dhe të godasë majtas dhe djathtas kë konsideron të arsyeshme, por dhe si një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike europiane. Aq më tepër ku në këtë mexhelisin tonë u bë 5 vjet që flasin të tërë, mbarë e mbrapsht për këdo, për çdo individ që bën atë parakalimin atje, para kamerave të lajmëruara përpara për spektaklin tek stacioni i trenit dhe vetëm ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, garante e reformës në drejtësi, forca që qeveris vendin heshtim, heshtim, heshtim.
Heshtja jonë patjetër që, besoj unë të paktën, i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë deri këtu ku është e qartë sot, se ajo që u mungon është kritika konstruktive, është nxjerrja në pah e të metave apo e prirjeve të gabuara sepse institucionet e reja të drejtësisë sot përballen ose me hosananë e një pjese të konsiderueshme të publikut, që mezi ka pritur ditën që të shikojë, më në fund, njerëz të lidhur me pushtetin politik që të përgjigjen përpara drejtësisë ose sulmet barbare, denigruese, destruktive të asaj pjese të opinionit, të udhëhequr nga armiqtë e reformës në drejtësi, nga bufi stërplak i kënetës dhe nga gjithë kuak-kuak-kuak që i mbajnë ison ndërkohë që pozicioni konstruktiv është bosh, pozicioni i kritikës konstruktive është bosh”, theksoi ai.