Nga: Mero Baze
Botimi i fotografisë së Sali Berishës në odën e pritjes së Enver Hoxhës, i përngjan një eksperimenti social, që na e bën më të lehtë të kuptojmë se kush është Partia Demokratike, kush janë mbështetësit e Berishës dhe pse berishizmi është enverizmi i ri shqiptar.
Reagimi i parë, që ka mbushur inbox-in tim sapo publikova foton, është ilustrimi i parë i enverizmit. Përveç gjuhës agresive dhe ofenduese, e cila është gjuhë amtare e “Foltores”, të gjithë në një zë thonë “shumë mirë ka bërë që ka dalë me Enver Hoxhën”, ose “shumë mirë që ka qenë mik i familjes së Enver Hoxhës”, “plas nga inati, ne se tradhtojmë”, apo “me Berishën deri në fund”.
Ky reagim, që në fakt është shumë argëtues, tregon qartësinë e deklartës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim, disa muaj më parë, kur pas një takimi me Lulzim Bashën, tha se demokratët nuk janë të detyruar të hanë bar për shkak të një njeriu.
Edhe pse Berisha u përpoq t’ia deformonte thelbin e deklaratës, duke e paraqitur sikur tha “demokratët do hanë bar se kështu do SHBA”, reagimi i “demokratëve” ndaj fotos së Enver Hoxhës me Sali Berishën, është ilustrim i qartë që brenda Partisë Demokratike ekziston enverizmi origjinal i kohës së Enver Hoxhës, ku përballë armikut të gjithë ishin gati të hanin dhe bar e mos të dorëzoheshin.
Në verë, kur e deklaroi ambasadorja, ne nuk e dinim që armiku ishte Lulzim Basha, por tani që jemi të qartë, deklarata e ambasadores duket si profetike. D.m.th ajo ka qenë më e qartë për enverizmin brenda PD se të tjerët, pasi preku pikërisht nervin kryesor të tyre, atë që prej dje në darkë, berishistët po e demonstrojnë çdo minutë, me sytë nga fotografia e Sali Berishës me Enver Hoxhën.
Reagimi i dytë është ai i demokratëve që nuk janë me Sali Berishën. Kjo është një shumicë e heshtur, shumë më e madhe, që pak vetë i identifikojnë. Janë aq shumë dhe aq të mllefosur që u ka mbetur një enverist në derë, sa po plasin që nuk flasin dot dhe më shkruajnë mua në inbox.
Si një eksperiment social i kësaj do të mjaftonte provokimi i një deputeti enverist të Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili postoi në grupin e deputetëve të Komisionit të Integrimit foton e Berishës me Enver Hoxhën.
Deputetja e Foltores, Albana Vokshi, reagoi e lebetitur, duke thënë “ua ua shiko çfarë poston ky”. D.m.th në llogjikën e një enveristeje të re, nuk është turp që Sali Berisha është nje enverist i vjetër dhe shërbëtor i odave të Enver Hoxhës, por për të është turp fakti që dikush guxon dhe boton foton e tij.
Në idolatrinë që ajo ka krijuar për Sali Berishën, ajo është e çuditur si mund të preket figura e Sali Berishës duke ndarë foton e tij me Enver Hoxhën. D.m.th paprekshmëria ndaj Sali Berishës në mendjen e saj, është në nivelin që ka qenë paprekshmëria për Enver Hoxhën në kohën e Saliut të parë.
Kurse deputetët e tjerë të PD, që nuk janë pro Berishës, kanë reaguar vetëm kundër Enver Hoxhës, duke e këshilluar atë të mos postojë foton e tij.
Kjo është dhe ndarja e dytë e madhe në Partinë Demokratike.
Ndarja e tretë është në shoqëri dhe ka të bëjë me një pakicë enveristësh të vërtetë, nga ata origjinalët, që më shkruajnë “të të vijë turp që krahason shokun Enver me atë legen”. Këta i mirëkuptoj, por janë shumë pak, në raport me enveristët e rinj të Saliut, në raport me ata që siç ua tha amabsadorja, janë gati të hanë bar për shkak të tij. Ata janë të vetmit enveristë të vërtetë që i kanë mbetur këtij vendi.