Kuvendi u përfshi sot nga debate të forta, pasi deputeti i PD-së, Ervin Salianji akuzoi se ish-zv.kryeministri Erion Braçe rezulton i përfshirë në përgjimet për pastrim parash të biznesmenit Rezart Taçi, të shpallur në kërkim nga SPAK.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Salianji e akuzoi ish-zv.kryeministrin se i del emri në përgjimet e prokurorisë italiane.“A je ti zv.kryeministri që del në përgjimet e prokurorisë italiane… Mos m’u drejto mua si kone se je mësuar me këta!”, i tha Salianji-Braçes. Teksa ky i fundit po replikonte nga vendi, deputeti demokrat tentoi edhe përplasjen fizike.
Por si qëndron e vërteta?
Referuar dokumentit ekskluziv të siguruar nga gazetari Thimi Samarxhiu në Top News dhe Gazeta SHQIP, aty nuk përmendet emri i Erion Braçes.
Dokumenti i përgjimit të Rezat Taçit mban datën 18 tetor 2021, por në atë kohë, Erion Braçe nuk ishte zv.kryeministër i Shqipërisë, pasi ishte dekretuar qeveria e re.
Teksa iu përgjigj akuzave të deputetit demokrat, vetë Erion Braçe la të kuptohet se mund të jetë dikush tjetër në këtë dosje, por pa dhënë emra.
“Se sa i shqetësuar jam unë për bujqit e di unë, në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata. Në 18 tetor 2021 nuk kam qenë zv kryeministër. Në këtë sallë ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza, do ua provoj që paguhen me cash, këto histori me lojëra luftash përfundojnë te dita e pagesës cash. O e kam denoncuar unë Armo-n, o s’ka fol njeri këtu. E kam kallëzuar edhe në prokurori. Mua dhe Taçin na ndan një oqean i tërë, s’kemi folur kurrë bashkë. Nuk kemi shkëmbyer asnjëherë asgjë, s’kam shkelur kurrë në televizionin e tij, Ka fytyra këtu që ka qenë”, tha deputeti Erion Braçe.
Fabio: Më tha duhet të rrish i qetë, jemi me fat që klienti është 90 vjeç….kështu që duhet të kalojnë tre muaj…ai thotë “Fabio, të kuptoj mirë, por nuk varet vetëm nga unë”.
Marina: Po ti e kuptove këtë?
Fabio: Po, dreqin kanë arritur deri tek Kryeministri
Marina: Por e ke kuptuar që nuk varet vetëm nga ai? Do me thënë është e vërtetë ajo që thotë?
Fabio: Po, po sigurisht
Marina: Se e ke parë vetë?
Fabio: Ma tha me siguri, se drejtori i bankës thotë që gjërat nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do jenë ndonjëherë të ndërlikuara.
Marina: Po ti vetë ça përshtypjesh ke?
Fabio: Që kanë nevojë për kohë, që nuk ka ndonjë problem serioz. Përndryshe do kishin mbërritur…
Marina: Te kush? Tek ata apo tek Zummo?
Fabio: Tek Zummo….në fillim i zhdukim pastaj i kalojmë në Hong Kong ose diku tjetër.
Në vazhdimësi të bisedës kuptohet që Rezart Taçi nuk ka futur në lojë kryeministrin, por zv/kryeministrin, nga i cili pritej rikonfirmimin për veprimin, në mënyrë që të zhbllokohej fondi i Zummo-s./ Gazeta Shqip