Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila është strehuar në Kosovë, bëri të ditur më 17 prill Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Makey, e cila është larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit rus, do të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ajo punon për platformën Open Democracy.
Arritja e saj në Kosovë është bërë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.
“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas Makey, puna e gazetarëve në Ukrainë është e rrezikshme, duke treguar se deri më tani, forcat ruse kanë vrarë 21 gazetarë.