Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë duke marrë pjesë sot në disa Komisione Parlamentare për marrëveshje dhe projektligje të ndryshme. Një ndër to është dhe marrëveshja mes OSHEE-BERZH për krizën energjitike.
Por në një kohë që deputetët socialistë e demokratë diskutonin me njëri-tjetrin për krizën dhe reagimin e institucioneve shqiptare, në Kuvend është ndërprerë energjia elektrike.
Megjithatë, mbledhjet kanë vijuar edhe pa drita, teksa për ironi të fatit në komisionin e Ekonomisë raportonte kreu i OSHEE Ardian Çela, ndërsa në Komisionin e Ligjeve zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.
Nuk kanë munguar batutat e deputetëve që e kanë marrë me sportivitet situatën e krijuar. Ndërsa dhe vetë Çela ka qeshur në komisionin e Ekonomisë.
‘‘Edhe aeroplani bie, edhe avioni bie, megjithatë shoh që mikrofoni është i ndezur, duhet parë çelësi i brendshëm”, tha Çela.