Kishte mbushur makinën me emigrantë të paligjshëm dhe pse policia i ka bërë shenjë të ndalonte, ai ka shtuar shpejtësinë.
Bëhet fjalë për korçarin me Fatjon Muça, 39 vjeç i cili nuk i është bindur policisë, pasi në makinën tij ‘Opel’ kishte 6 emigrantë të paligjshëm.
39-vjeçari është kapur pas disa minutash ndjekje nga policia.
Njoftimi i Policisë së Korçës
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të shtetasit F. M., 39 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve) pasi pranë kryqëzimit të fshatit Kapshticë, Devoll.
Ky shtetas është konstatuar duke lëvizur me mjetin tip “Opel” dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë rrugore për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.
Ata janë vënë në ndjekje të mjetit dhe bënë të mundur ndalimin e tij në fshatin Kurilë, Devoll dhe neutralizimin e shtetasit F. M., i cili po transportonte 6 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.