Mbrojtësi i kombëtares, Elseid Hysaj thotë se Shqipëria ka një mundësi të artë për të arritur vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve, pas përjashtimit të Rusisë.
Në konferencën për mediat së bashku me mesfushorin Klaus Gjasula, Hysaj u shpreh se Islanda dhe Izraeli janë ekipe të forta, ashtu sikurse edhe Shqipëria.
“Jemi tre skuadra të forta, në një nivel të afërt. E shikojmë si një mundësi vërtetë sepse të gjithë e dimë që Rusia është një ekip me nivel të fortë dhe tani që mungon kemi më shumë mundësi për t’u renditur të parët dhe për të shkuar në play-off. E dimë që kemi një mundësi të artë që nuk duhet ta shpërdorojmë dhe ta shfrytëzojmë në mënyrat më të mira. E shohim si një dritare më shumë për të shkuar në play-off”, tha Hysaj.
Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me atë të Islandës më 6 qershor në transfertë, ndërsa më 10 qershor me Izraelin në “Air Albania.
Shqipëria bën pjesë në grupin 2 të Ligës B, pjesë e së cilës ishte edhe kombëtarja e Rusisë, tashmë e përjashtuar për shkak të agresionit rus në Ukrainë.