Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që njëherësh është kryeministër i Kosovës, tha se është i kënaqur me rezultatin e shënuar në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor.
Partia e Kurtit, sipas rezultateve preliminare, në raund të parë nuk ka fituar asnjë nga 38 komunat, por në raundin e balotazhit do të garojë në 12 komuna.
“Jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur, për shkak se edhe në nivel vendi sa i përket zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja u bë subjekti i parë”, tha Kurti në një konferencë për media të mbajtur më 18 tetor në Prishtinë. Kurti iu referua votës së fituar në nivel vendi gjatë zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Ai shtoi se partia e tij kurrë nuk ka qenë “më e fortë”, pasi theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë edhe në nivel qendror dhe lokal. Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale nuk mund të krahasohen.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, duke fituar mbi 50 për qind të votave.
Sipas Kurtit, para qytetarëve “imazhi i Lëvizjes Vetëvendosje është më i fortë për çështjet nacionale”.
Kurti shtoi se në balotazh do të synojnë që të fitojnë të gjitha komunat që garojnë dhe shprehu bindjen e tij se në Prishtinë, kandidati i kësaj partie, Arben Vitia do të fitojë.
“Unë shpresoj, por edhe besoj që ai (v.j. Arben Vitia) do të jetë kryetar i kryeqytetit dhe më 15 nëntor do ta marrë detyrën aty ku duhet dhe ku kanë thënë edhe qytetarët e kryeqytetit”, tha Kurti.
Raundi i balotazhit, sipas ligjeve në fuqi duhet të mbahet katër javë pas raundit të parë.
Kurti tha se zgjedhjet ishin të lira, fer dhe demokratike dhe Kosova po bëhet shembull në rajon për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 43 për qind./REL