Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish rreth krizës energjetike në vendin fqinj.
Kurti ka thënë se falë shtimit të likuiditetit dhe subvencionimin e importit kanë arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.
Kryeministri kosovar, përmes një postimi në Facebook, luti qytetarët, megjithatë, të vazhdojnë të shpenzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.
Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MWh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GW, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MW) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!
Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.
Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.
Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.
Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.
Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.