Friday, November 22, 2024

Koronavirusi/ Kosova ende pa vendim për dozën e tretë

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ende nuk ka marrë vendim lidhur me dhënien e dozës së tretë apo përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Më 11 nëntor, zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se marrja e vendimit për to është “çështje ditësh”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave përforcuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë tha të martën se “vendimi merret në momentin që vlerësohet si më e përshtatshme nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19” – sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

“Nuk jemi as vonë e as prapa shteteve të tjera. Kini parasysh, kemi filluar me vaksinim më vonë se të tjerët dhe jemi para shumë shteteve”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të marsit dhe, deri më tash, mbi 42 për qind e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht.

Nga vendet e rajonit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Serbia ka vaksinuar 45 për qind të popullatës, Mali i Zi 41 për qind, Maqedonia e Veriut 38 për qind, Shqipëria 34 për qind dhe Bosnje e Hercegovina 21 për qind.

Të gjitha vendet e rajonit po ashtu kanë nisur me dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcuese kundër koronavirusit.

Doza e tretë e vaksinës i jepet një personi që nuk ka krijuar përgjigje të fuqishme imunitare nga seritë e para të vaksinimit. Doza përforcuese i jepet një personi për t’i ndihmuar në përforcimin e imunitetit që mund t’i ketë rënë nga dy dozat e para.

Më 25 nëntor, Komisioni Evropian ka propozuar që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim në Bashkimin Evropian për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, që përfshijnë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm.

“Kohë optimale për dhënien e dozës së tretë dhe përforcuese”

Në Kosovë, të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Infektologu Sali Ahmeti thotë se tani është koha e duhur që qytetarët të nisin të marrin dozën e tretë apo përforcuese të vaksinës.

“Meqenëse një pjesë e mirë e qytetarëve që e kanë marrë dozën e dytë i kanë kaluar gjashtë muaj nga marrja e asaj doze, është koha optimale për fillimin e [dhënies së] dozës së tretë”, thotë Ahmeti.

Ai pret që qytetarët të kenë interesim për këto doza.

“Ka pasur hezitime në raste të caktuara [për vaksinim], por mendoj se qytetarët i janë përgjigjur mirë dozës së dytë dhe mendoj se do t’i përgjigjen edhe dozës së tretë”, thotë Ahmeti.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë