E gjitha e shtyrë për të hënën në mbrëmje. Italia që donte të mundte Zvicrën për të mbyllur kualifikimin nuk kaloi përtej barazimit 1-1 në “Olimpico” të Romës para 50 mijë shikuesve.
Fillimi fals i kampioneve që u nënshtruan në 20 minutat e para, të befasuar nga një Zvicër që kaloi menjëherë në avantazh dhe vazhdoi të luante lojën e tyre për aq fuqi sa kishte. Barazimi i Di Lorencos dha shpresa.
Zhorzhinjo kishte shansin të shënonte golin e fitores në minutën e fundit, por mesfushori i Çelsit gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke e goditur topin totalisht mbi traun e Somer.
Danimarka është kualifikuar në Grupin F, por një gjë e tillë nuk i pengoi vikingët të siguronin suksesin e nëntë në po kaq ndeshje. Danimarka fitoi 3-1 në shtëpi përballë Ishujve Faroe falë rrjetave të Skov Olsen, Bruun Larsen dhe Mehle.
Polonia nuk hasi probleme në fushën e Andorrës, kundërshtar të cilin e mposhti 1-4. Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë që në minutën e parë, duke ia lehtësuar detyrën polakëve, që siguruan vendin e dytë në grupin I falë golave të Levandovskit me dopietë, Jozviak dhe Milik.Austria dhe Izraeli u zbavitën mes tyre, por në fund festuan austriakët falë triumfit 4-2. Irlanda e Veriut iu fal një goli për të thyer Lituaninë në shtëpi, ndërsa Skocia fitoi 0-2 në fushën e Moldavisë.